TIRANË- “Drejtori i Përgjithshëm ka dalë jashtë loje në një moment kyç për vendin”. Kështu deklaroi sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, gazetari Artan Hoxha, i cili tha se muajt prill, maj dhe qershor janë decizivët për luftën e policisë ndaj narkotikëve, dhe pikërisht në muajin qershor shtoi ai “Haki Çako del nga loja.

Duke u ndalur tek përgjimet dhe pezullimin e Çakos për këtë çështje, Hoxha tha se është cenuar partneriteti me italianët, partneritet i cili sipas tij ka rezultuar i suksesshëm deri më tani.

“Nëse provohet që Haki Çako ka shkelur ligjin do i thosha një bravo të madhe Prokurorisë, por druaj se do jetë si rasti me Fullanin apo ish gjeneralin e Ministrisë së Mbrojtjes… Problemi më i madh që kemi në këtë histori është humbja e besimit përballë partnerëve tanë kryesorë që na furnizonin me pajisje që realisht nuk i kemi për të luftuar kriminalitetin dhe narkotrafikun. Kjo që ka ndodhur sot duket sikur ne dëshmojmë se nuk kemi seriozitet me atë që themi e bëjmë. Partnerët morën diçka përsipër thanë ne e kemi sjellë pajisjen, mënyra si është përdorur thanë që e mbajmë ne përsipër përgjegjësinë. Kujtoj se muaji qershor është muaji më aktiv i policisë kundër narkotikëve. Nëse nuk ke sukses në prill, maj, qershor atëherë do kesh betejë me krimin. Ju kujtohen helikopterët në Dukagjin u sulmuan dhe kurrë nuk u gjetën autorët”.

Hoxha më tej përmendi rastin e një tjetër përgjimi, atë të ambasadorit italian, ndërsa tha se prokuroria për të dy rastet e përgjimeve ka përdorur dy standarde.

“Është përgjuar ambasadori i një vendi shumë mik, ambasadori italian mbas qershorit 2012 kur Berisha do bënte vizitë në Itali, pse është përgjuar kjo nuk dihet. Gjëja e parë që Noka ka bërë është të shkarkojë Shefin e Kontrollit të Brendshëm. Kur italianët mësuan se po përgjoheshin në Shqipëri. Italianët në atë kohë kërkuan procedim të personit që kreu përgjimin, nga kontaktet që kishim u tha se ishte Shefi i Kontrollit të Brendshëm, por nuk pati procedim”,- tha ai.

Në lidhje me pajisjen e përgjimit, Hoxha tregoi edhe njëherë se për çfarë ishte përdorur ajo në vendin tonë, sipas burimeve të tij. “Pajisja e përgjimit nuk ka ardhur e kompletuar kushton 2 mln euro…Kjo pajisje ka ardhur për të bërë identifikim të kartave të celularit dhe numrit IMEI. Është përdorur për qëllime policore për të zbuluar ngjarje me ndjeshmëri të lartë në Shqipëri. Është përdorur për të zbuluar ngjarje shumë të rënda. E kujtoni situatën ku shpërthente çdo ditë? Suksesi u arrit në saj të kësaj pajisje dhe bashkëpunimit me partnerët italianë. Është përdorur për ngjarje të rënda kriminale në Tiranë dhe në Elbasan. Një nga objektivat e italianeve ishte në qarkun e Vlorës, pajisja doli nga funksioni dhe nuk arritëm ta marrim vesh se për çfarë rasi bëhej fjalë”,- vijoi Hoxha.

Sipas Hoxhës, policia duhet të kishte qenë më strikte sa i përket procedurave. Ai shton se “Kjo është një ngjarje tipike që dëshmon se kemi dy segmente brenda shtetit, që operojnë në mënyrë të pavarur në kohë që duhet të bashkëpunojnë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: