KOSOVË–Një nga portalet më të mëdha të lajmeve në botë Huffington Post, boton një shkrim rreth konferencës ndërfetare që u mbajt këto ditë në Prishtinë duke quajtur Kosovën lidere globale kundër ekstremizmit në rrjete sociale.

Stephen Schwartz, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Pluralizëm Islamik, në tekstin e botuar në Huffington Post, thotë se “Republika ballkanike e Kosovës, me një shumicë dërrmuese myslimane dhe një moshë mesatare prej 27, është angazhuar në një luftë kundër islamit radikal. Derisa disa myslimanë të Kosovës janë radhitur në radhët e të ashtuquajturit “shtet islamik” (SIS), qeveria e Kosovës ka kriminalizuar pjesëmarrjen në dhe rekrutimin për në xhihad”.

Përveç kësaj, autoritetet e Kosovës kanë organizuar një seri konferencash vjetore që kanë sjellë bashkë liderët kosovare por edhe myslimanë, të krishterë, dhe udhëheqës të tjerë shpirtërorë nga mbarë bota kundër fanatizmit fetar. Këtë vit, tema e ngjarjes ishte “Dialogu ndërfetar në kohë të rrjeteve sociale: përkrahja aktivistëve të ndryshimit, luftimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe gjuhës së urrejtjes”, transmeton KP.

Kosova ka përfituar shumë nga ndihma e huaj, entuziazmi i popullsisë së saj rinore për mediat sociale dhe sot është një shtet ideal Evropian me shumicë myslimane – vend për një fushatë për të kundërshtuar ideologjinë islamike duke përdorur mjete të reja dhe popullore. Derisa shumë vëzhgues e lavdërojnë ISIS për përdorim të zgjuar të mediave sociale, qeveria e Kosovës po bën fushata edhe më të mençura online.

Në fjalën e saj hyrëse në konferencën e 2015, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga vlerësoi se “përfaqësues të besimeve të ndryshme dhe njerëz kanë përkushtuar jetën e tyre për fuqinë e bashkimit shpirtëror dhe për të treguar vlerën e dialogut ndërfetar dhe ekumenik si dhe rëndësinë e tolerancës ndërfetare”.

Ajo shpjegoi: “Kjo është një vlerë e shtuar e shoqërisë së Kosovës, e cila ka kaluar nëpër kohë të vështira. Tradita e bashkëjetesës fetare është kultivuar gjatë gjithë historisë së këtij vendi dhe është e rrënjosur në Kushtetutën tonë, dukë bërë Kosovën një vend të diversitetit dhe paqeruajtjes”.

Thënë më troç në konferencë, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministër i Jashtëm Hashim Thaçi, në një mesazh pjesëmarrësve të konferencës, deklaroi, “Kosova ka miratuar ligjin kundër luftëtarëve të huaj për të frenuar pjesëmarrjen në anën e ISIS, në Siri dhe Irak”. Ligji parashikon dënime deri në 15 vjet burg “për ata që marrin pjesë dhe nxisin pjesëmarrjen në konfliktin e përgjakshëm në Lindjen e Mesme”.
Artikulli në Huffington Post përfundoi me një konkluzion se Nisma e Kosovës për Dialog Ndërfetar është duke u bërë lidere në përpilimin e përgjigjes ndaj radikalizmit fetar dhe problemeve tjera të jetës fetare.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb