TIRANE

“Jeta fillon pas moshës 40-vjeçare” nuk është thjesht dhe vetëm klishe. Ata që e kanë kapur këtë kufi, e dinë mirë se ka një të vërtetë brenda, e cila, me siguri, mbështetet në disa fakte. Në të ’40-at, ka shumë arsye për të nisur një jetë tjetër, siç ka edhe shumë arsye për të bërë një jetë më të shëndetshme e për të qenë më selektiv për gjërat që i bën me dëshirë dhe për të tjera, të cilat të mbushin kohën, por nuk të japin të njëjtën kënaqësi.

Hygerta Sako, Miss Albania 1995, ka dy vite mbi 40, por është në formë të shkëlqyer fizike – tani më shumë se asnjëherë më parë. Madje, nëse do t’u ktheheni edhe një herë atyre fotove, të vitit 1995, do të gjeni po të njëjtit portret Miss-i. Ndryshe nga shumë personazhe të tjerë të njohur, që nuk dinë si e çfarë të thonë kur pyeten për moshën, Hygerta nuk e ka fare problem këtë pjesë. Jo vetëm kur feston ditëlindjen, e shënon pa drojë numrin mbi tortë, por edhe sa herë gjendet përballë publikut, e thotë pa problem moshën, edhe me krenari madje.

Edhe sot, nga studio e “Rudina”, moderatorja tha se nuk e ka aspak problem moshën e saj, sepse nuk gjen arsye ta fshehë atë: “Nëse gënjej për moshën, më duket sikur gënjej veten”, – tha ajo.

Megjithatë, mosha 40-vjeçare shërbeu për Hygertën si një reflektim për veten. Nëse kishte diçka për të cilën ajo vazhdimisht mendonte se duhet të merrej me veten, ishin disa kilogramë të tepërt. Nuk ishte vonë, sepse për t’u kujdesur e për t’u marrë me veten nuk ka nevojë për moshë, megjithatë, le të themi që “pjekuria” 40-vjeçare ndikoi për mirë në rastin e Hygertës shkruan Class.

“Më në fund, erdhi momenti që të merresha intensivisht me aktivitet fizik. Tashmë kam kohë që bëj palestër çdo ditë dhe Zumba, tri herë në javë, bashkë me vajzën, Anais. Nuk kam arritur akoma aty ku dua unë, por me kohën them se do arrij…”, – tha Hygerta për “Rudina”.

Paralel me aktivitetin fizik, Hygerta ndjek edhe një regjim të rregullt ushqimi: “Kam hequr dorë nga ushqimi jo i shëndetshëm, ha me kujdes. Nuk rri pa ngrënë sa më bie të fikët, por ha shëndetshëm. Bukën e kam eliminuar, përdor bukë integrale, është shumë e shëndetshme, ngopem dhe nuk vë peshë…”, – tregon Hygerta.

Duke rrëfyer për aktivitetin fizik dhe për Zumba-n, një prej sporteve që jo vetëm e ndihmon për t’u ushtruar e për të rënë në peshë, por edhe për t’u argëtuar e për t’u kënaqur, Hygerta tha se vetëm kur mbushi 40 vjeç, kuptoi dhe vendosi se, më në fund, duket të merrej më shumë me veten: “Kur mbusha 40 vjeç, thashë ‘çfarë jam duke bërë’. Mjafton ta vendosësh edhe ta fillosh. Nuk ka moshë për aktivitet fizik, ashtu siç nuk ka moshë edhe për t’u kujdesur për veten …”
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: