Futbolli ukrainas po tërheq gjithnjë e më shumë futbollistë nga kampionati shqiptar dhe ai kosovar, duke u bërë një destinacion i preferuar për ta, pavarësisht kushteve shpeshherë të rrezikshme për shkak të luftës me Rusinë.
Një prej emrave që pritet t’i bashkohet një kolonie të gjerë shqiptare në Ukrainë është edhe anësori i sulmit të Ballkanit, Almir Kryeziu. Futbollisti i krahut të majtë, u afrua nga Ilir Daja te Ballkani në vitin 2023 dhe aty u bë pjesë e ecurisë mbresëlënëse të skuadrës në atë edicion në arenën ndërkombëtare duke luajtur në grupet e Ligës së Konferencës.
Tani, për Kryeziun ka ardhur momenti i hapit të radhës në karrierë dhe futbollisti 27-vjeçar ka nisur negociata me klubin e Bukovina, i cili sapo është ngjitur në elitën e futbolli ukrainas. Pritet që palët të gjejnë një akord në ditët në vijim dhe të planifikohet udhëtimi i tij drejt Ukrainës për t’u bërë pjesë e këtij klubi.
