Është një rol i vështirë, por Toto Volf tashmë ka mësuar prej shumë vitesh si ta menaxhojë. Ai do të jetë arbitri i një dueli që premton të jetë i zjarrtë mes dy pilotëve të Mercedesit, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se nuk mund të përsëritet ajo që ndodhi në vitin 2016 me Luis Hamiltonin dhe Niko Rosbergun, protagonistë të një rivaliteti për titullin botëror që gjatë sezonit përçau ekipin dhe çoi në një ndarje totale brenda skuadrës.

“Duam që atmosfera të mbetet e mirë”, u shpreh Kimi Antoneli pas suksesit në Kanada, duke vijuar: “Do të jemi të lirë të garojmë, por gjëja e parë mes meje dhe Rusëllit duhet të jetë respekti”. Pikërisht mbi këtë temë u ndal edhe vetë Volf në fund të një fundjave ku dy pilotët dueluan fillimisht në garën Sprint të së shtunës dhe më pas të dielën në Çmimin e Madh, për pothuajse 30 xhiro radhazi.

“Ishte padyshim një betejë shumë e bukur për t’u parë, por kur Kimi iu afrua sërish Xhorxhit duke hyrë në frenim në limit, mund ta kishim mbyllur garën me një tërheqje të dyfishtë. E njëjta gjë vlen edhe për një tjetër situatë që ndodhi pak më vonë në pistë. Detyra jonë si skuadër do të jetë të analizojmë me kujdes gjithçka që ndodhi dhe të kuptojmë bashkë me pilotët nëse edhe ata e kanë ndjerë se disa situata ishin tepër në limite dhe për këtë arsye nuk duhen përsëritur në të ardhmen”, deklaron Volf.

QARTËSIA MBI GJITHÇKA – Fjala kyçe mbetet “qartësia”, një term që shefi austriak e përdor shpesh për të përshkruar metodën e menaxhimit të dy pilotëve në këtë fazë delikate të karrierave të tyre. “Në Kanada gjërat shkuan mirë sepse kishim avantazh ndaj rivalëve tanë dhe kjo e bën më të lehtë të pranosh që Kimi dhe Xhorxhi të luftojnë fort mes tyre. Por nuk do të jetë gjithmonë kështu, sepse e dimë që gjatë sezonit do të ketë gara ku një duel i tillë, për kaq shumë xhiro, mund t’i vendosë në vështirësi dhe t’i bëjë të ekspozuar ndaj sulmeve të kundërshtarëve”, shton Volf, i cili me tej vijon: “Ne duam të shmangim situata delikate ose tepër të rrezikshme, dhe ata e dinë këtë. Në Montreal mund të dukeshim shumë sportivë duke i lënë të lirë të garonin, por e dimë se mund të vijë momenti kur do të duhet ta ulim pak nivelin e rivalitetit mes tyre”.

NËN VËZHGIM SPECIAL – Rusëll dhe Antoneli janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë situatë dhe e dinë se do të mbërrijnë në Monako nën vëzhgim të veçantë pas një fundjave kaq intensive si ajo e Montrealit. Sipas Volfit, Rasëlli duhet të përpiqet të lërë pas atë që ndodhi në Kanada, ku një problem elektrik i ndërpreu garën në xhiron e 31- të ndërsa luftonte për fitoren. “Xhorxhi thotë se gjithçka po shkon kundër tij? Po, është e vërtetë. Ka qenë shumë i pafat në këtë fillim sezoni. Por kanë mbetur ende 17 gara dhe ka shumë pikë në lojë. Tani duhet ta përtypë atë që ndodhi, të flejë mbi të dhe të ecë përpara. Ai është një pilot i fortë mendërisht dhe e di se nuk mund të kishte bërë shumë më tepër nga ajo që bëri”, përfundoi austriaku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb