Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka reaguar në lidhje me takimin dy-ditor të kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët.

Përmes një reagimi në ‘Facebook’ Kryemadhi pyet Ramën se pse janë rritur taksat vjetore.

MESAZHI I KRYEMADHIT
Kryebashkiakët në riedukim mund ta pyesin kryeministrin Rama, ku ishte ai, gjatë viteve, që Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, jepte grante dhe financime bashkive, pa patur buxhet, për projekte të cilat fundosën 61 njësitë vendore në borxhe dhe në prag falimentimi?
Kryeministri që i bie tavolinave duke aktruar, t’i tregojë shqiptarëve arsyen e vërtetë pse taksat vendore e qendrore janë rritur! Ai e di mirë pse çmimi i ujit të pijshëm është rritur. T’i tregojë kryeministri arsyen e vërtetë të reformës së ujit, e sa lidhje ka kjo me debitë e bashkive për projektet pa buxhet të Ujësjellës Kanalizimeve. Këto projekte nuk mund të merrnin jetë pa miratimin e qeverisë, e kryeministri e di, si është renditja e kreditorëve ndaj të cilëve shteti ka borxhe në shifra marramendëse! Le t’i bëjë publike! Nuk ka sfidë më të mirë se transparenca…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb