Tiago Ferreira është futbollisti më i ri i Kukësit. Klubi verilindor ka zyrtarizuar afrimin e portugezit, i cili vjen nga kampionati iranian dhe do të jetë pjesw e skuadrës verilindore për dy edicionet e ardhshme. Së fundmi Ferreira ka qenë pjesë e Tractor, teksa në të shkuarën ka luajtur edhe për ekipe si MTK Budapest, Universitatea Craiova, Uniao Madeira e Zulte Waregem, ndërsa është aktivizuar dhe me Portugalinë U21. Mbrojtësi 29-vjeçar është një prodhim nga akademia e Portos, duke qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Portos, teksa ka luajtur edhe me ekipin Porto B.

29-vjeçari plotëson hapësirat e lëna bosh në skuadër pas largimeve të Jorgo Pëllumbit, Kristi Markut dhe Bruno Lulajt. Ky i fundit nuk është zyrtarizuar ende si i larguar nga kuksianët, megjithatë i ka përfunduar kontrata dhe aktualisht është në negociata për t’u transferuar në Greqi ose në Qipro, megjithatë mbetet e hapur mundësia për t’u rikthyer sërish me skuadrën ku edicionin e shkuar pati dhe statusin e ish-kapitenit.

Kukësi vijon përgatitjet në Turqi dhe do të qëndrojë dhe për disa ditë atje, para se të zhvendoset në Shqipëri për t’u përgatitur për ndeshjen e javës së parë me Tiranën, sfidë kjo e planifikuar për t’u luajtur në datën 20 gusht në ‘Kukës Arena”. Gjatë kësaj merkatoje verore, në skuadrën e Skënder Gegës janë afruar 9 lojtarë, duke përfshirë dhe mbrojtësin e prezantuar këtë të enjte.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb