Aktivisti Ilir Xhemalaj ka mbajtur një fjalim gjatë protestës kundër kryeministrit Edi Rama, ku ka drejtuar akuza të forta ndaj kreut të qeverisë. Xhemalaj u shpreh se protestuesit janë etiketuar më parë si “nazistë”, ndërsa akuzoi kryeministrin se, sipas tij, politikat e ndjekura kanë nxitur emigrimin masiv të shqiptarëve.
Në fjalën e tij, ai deklaroi gjithashtu se qeveria tregon më shumë shqetësim për imazhin e sektorit të turizmit sesa për problemet e qytetarëve. Duke iu referuar aksioneve të autoriteteve në zonën e Thethit, Xhemalaj kritikoi mënyrën e ndërhyrjes ndaj ndërtimeve pa leje dhe përmendi edhe shembjen me eksploziv të një objekti në Durrës.
Deklaratat e Ilir Xhemalajt u bënë gjatë protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësojnë qëndrimet e tij personale.
“Na kishte quajtur nazistë. A ka nazistë më ky? Ka hipur në trenat e emigracionit mbi 3 mln shqiptarë. A ka më nazistë se ky që ka ushtruar gjenocid në trojet shqiptare. Shqetësohet për yjet e hoteleve, por nuk shqetësohet për terrorin që ushtroi dinamit i bujtinave në Theth duke i vënë tritolin në Durrës”, tha ai.
