Leonardo Bove, 16 vjeç, është një nga të mbijetuarit e tragjedisë së rëndë që goditi natën e Vitit të Ri klubin e natës “Le Constellation” në Crans-Montana të Zvicrës, ku humbën jetën 41 të rinj.
Pas shtatë muajsh trajtimesh intensive, adoleshenti nga Milano ka lënë spitalin Niguarda më 17 korrik, duke nisur një tjetër fazë të gjatë të rikuperimit.
Leonardo pësoi djegie të rënda në rreth 60% të trupit dhe për një periudhë të gjatë gjendja e tij u konsiderua kritike. Fillimisht ai u trajtua në Zvicër, ndërsa më pas, pasi gjendja e tij u stabilizua, u transferua në Qendrën e Specializuar të Djegieve në Niguarda, Milano.
Aty iu nënshtrua një serie të gjatë ndërhyrjesh kirurgjikale, trajtimesh intensive dhe seancash të vështira fizioterapie. Procesi i rikuperimit ishte i gjatë dhe i mundimshëm, por vendosmëria e 16-vjeçarit e ndihmoi të bëjë hapa të rëndësishëm drejt rikthimit në jetën e përditshme.
Nga krevati i spitalit te futbolli
Një rol të veçantë në këtë rrugëtim duket se ka pasur edhe mbështetja e stafit mjekësor. Drejtori i Qendrës së Djegieve në Niguarda, Dr. Franz Wilhelm Baruffaldi Preis, përdori edhe mënyra të pazakonta për ta ndihmuar Leonardon të rifitonte forcën fizike dhe mbi të gjitha për t’i dhënë kurajë gjatë muajve të vështirë. Mes tyre ishte edhe një ndeshje futbolli e improvizuar brenda klinikës. Topi nuk ishte një top i zakonshëm, por një dorezë kirurgjikale ngjyrë vjollcë, e fryrë me ajër, me të cilën mjeku dhe pacienti shkëmbyen pasime.
Leonardo Bove è stato dimesso dal Centro Ustioni dell'ospedale Niguarda di Milano lo scorso 17 luglio, dopo sette mesi di ricovero. Il sedicenne è uno dei sopravvissuti al rogo del locale Le Constellation di Cran Montana, in Svizzera, in cui a Capodanno in cui sono morti 41… pic.twitter.com/CLCbnljW8P
— Repubblica (@repubblica) August 25, 2026
Për Leonardon, futbolli u bë kështu edhe një mënyrë për të rifituar gradualisht forcën dhe për të lënë pas, qoftë edhe për pak çaste, realitetin e vështirë të muajve të kaluar. Sot, pas daljes nga spitali, sfida për 16-vjeçarin nuk ka përfunduar ende. Rikuperimi nga djegiet e rënda kërkon kohë dhe trajtime të vazhdueshme. Por për Leonardon, një nga momentet më të rëndësishme tashmë ka ardhur: të dalë nga spitali dhe të rikthehet pranë familjes dhe jetës së tij.
Dhe ëndrra e tij është të rikthehet edhe në tribunat e stadiumit për të parë sërish Interin, skuadrën e zemrës.
