LEZHË- Forcat RENEA dhe efektivë të policisë së Lezhës kanë arritur të vënë në pranga sot një person të shumëkërkuar, të akuzuar për një sërë veprash penale dhe i përmendur shpesh edhe në akuza politike nga opozita, LSI dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Bëhet fjalë për 20-vjeçarin Danjan Ndoka, djali i vëllait të ish-deputetit të PS-së Arben Ndoka, i akuzuar për plagosjen e aktivistit të LSI-së ditën e zgjedhjeve në Shëngjin. I rrethuar nga një numër i madh efektivësh të RENEA-s dhe policisë së Lezhës Ndoka është çuar me pranga, me duar të lidhura pas dhe me kokën ulur në Komisariatin e Lezhës mbrëmjen e sotme. Gjatë arrestimit atij iu gjet edhe një pistoletë e markës “Smith Wesson” me mulli me 6 fishekë.

Ai akuzohet për “Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim mbetur në tentative”; “Plagosje e rëndë me dashje”; “Armëmbajtje pa leje”; “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”; “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”. Ngjarjet për të cilat akuzohet kanë ndodhur në kohë të ndryshme, njëra kur Ndoka ishte 17 vjeç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb