NGA OLA MITRE

TIRANE– Ai ishte vetëm një vjeç kur shkëputi kontaktet me botën e jashtme, ndërsa shumë shpjet do të diagnostikohej me autizëm tejet agresiv. E vetmja mënyrë për t’u kujdesur ishte shkëputja e nënës nga puna, duke iu përkushtuar me gjithçka të vetën. Edlira punoi me të pa pushim: arriti ta regjistronte në një shkollë publike për ta integruar në shoqëri, ndërsa para 4 vitesh ajo zbuloi dhe talentin e tij të fshehur. Drini pëlqente penelat. E jo vetëm kaq: ai mund të hidhte në telajo përjetimet e tij, duke realizuar piktura vërtet mbresëlënëse. 17-vjeçari ka mundur të hapë edhe një ekspozitë të vetën, duke ndryshuar dukjen e mureve të qendrës TEN. Por, teksa tregon rrugën e gjatë të përshkruar deri më tani, për nënën e përkushtuar nuk ka qenë aspak e lehtë. Kjo, në mungesë të shërbimeve sociale apo edhe të një mësuesi mbështetës, që i takon më ligj. Teksa kujton derën e mbyllur në fytyrë për vite me radhë, për Edlirën tashmë ekziston vetëm një kërkesë: të ndihmohet nga shteti, në mënyrë që talenti i Drinit të zhvillohet edhe më tej.

Znj. Edlira, kur ka lindur pasioni i Drinit për të pikturuar?
Drini aktualisht është 17 vjeç dhe ka 4 vjet që ka shpalosur talentin e tij në pikturë. Njëkohësisht ai integrohet në shkollën “Mihal Grameno”, në klasën e 9-të, ku ka nevojë për një mësues mbështetës dhe një shërbim special. Kam disa vite që e kërkoj mësuesin special në drejtorinë arsimore dhe nuk më është ofruar. Tani Drini, nga klasa e 9-të duhet të shkojë në një shkollë arti ose profesionale.

Si e zbuluat talentin e tij?
Kam 4 vjet që e ushtroj në shkollë nga 1-2 faqe. Pas shkolle e ushtroj në ambiente të hapura. E pashë që pëlqente penelat dhe i bleva penela e fletore vizatimi. Aty pashë që ai kishte fantazi dhe e shpalosi atë. Pastaj u detyrova të blija telajo, që gjithsesi kanë kosto. Megjithatë, para talentit të djalit, unë jam e detyruar t’ia blej, ta integroj dhe t’i rrit talentin që ai ka. Ambienti social deri më tani ka qenë diskriminues si për mua, edhe për djalin. Nuk kam ndjerë asnjë ndihmë apo ngrohtësi, por edhe në mënyrën e të folurit. Kam duruar edhe ofendime nga shumë nivele njerëzish. Megjithatë, unë do të kujdesem për të derisa të vdes.

Cilat janë të ardhurat tuaja?
Unë nuk kam mundësi ekonomike. Marr pagesën e aftësisë nga shteti dhe kujdestarinë, nga 9700 lekë në muaj, që është minimale. Me to nuk mund të paguaj as taksat, dritat, ujin. Unë si nënë nuk punoj, ndërsa bashkëshorti herë me punë e herë pa punë. Unë mund të ushtroj profesionin tim si ekonomiste, por nuk mundem, pasi ai si fëmijë do shërbim dhe këtë shërbim ia ofroj vetëm unë si nënë. Kjo pasi mungojnë strukturat, që duhet të jenë të lidhura në zinxhir.

Keni qenë më herët në punë?
Unë kam qenë në punë dhe isha e detyruar ta lija, në momentin që doli diagnoza e Drinit. Në moshën 1 vjeç djali preu kontaktet, pati një gjendje të rënduar, autizëm i rënduar, ndërpreu të folurën, me epliepsi dhe me shumë çrregullime të tjera të spektrit. Kam 17 vjet, që unë si nënë mundohem ta ndihmoj me zemër, me shpirt, me gjithë fuqitë e mia. Kam arritur deri në këtë stad dhe kam shumë nevojë tani, sepse Drini ka shumë talent të vlerësueshëm nga specialistët.

Duke qenë se autizmi është një sëmundje që manifestohet edhe me shenja agresiviteti, ndërkohë që dëshira juaj është që ai të ndjekë liceun artistik, si sillet Drini në këtë drejtim?
Drini që në kohën kur iu fut fushës së artit ka shumë qetësi. Është qetësuar në shumë aspekte dhe po reflekton edhe në rregullimin e spektrit autik: në komunikim, në të folur. Ngjyrat i kanë dhënë qetësi në tërësinë e tij. Çdo shpalosje me penel e ka liruar emocionalisht dhe i ka larguar shumë negativitete, duke u kthyer në anën pozitive. Ai përdorte shumë ngjyra gri dhe të zezë, sepse këtë koncept kishte për jetën, pasi kudo që shkonte, gjithçka ishte gri dhe e zezë për Drinin. Ndërsa tani ai ka ndryshuar konceptin falë punës sime.

Cila është kërkesa juaj?
Unë kërkoj që të ndryshojë edhe më tepër dhe të zbatohen ligjet në aspektin social dhe mësimor. Unë një nënë e vetme nuk mundem të çaj më tej: duhen struktura të mirëfillta shtetërore që të venë gjithmonë pikat mbi “i”. Me 9700 lekë unë nuk mund të paguaj një mësues special. Rrugëtimi i tij është i gjatë, ndërsa në bazë të ligjeve, unë si nënë kam dëshirë të vazhdojë një shkollë profesionale. Për shembull, Drini është në fushën e artit dhe mund të vazhdojë liceun artistik. Pas liceut, mund të krijohet një punësim si piktor ose ndihmës piktor në një institucion shtetëror ose ku mundet shteti. Shërbimi social i mungon Drinit. Kam kërkuar edhe te Shërbimi Social Shtetëror, por nuk kam pasur asnjë ndihmë. Unë si nënë kam një barrë shumë të madhe, pasi bëj punën e mësuesit special, punën e shërbimit social, ndërkohë që Drini është në rritje dhe unë normal që nuk kam mundësi t’i shërbej më, në një të ardhme.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: