TIRANE- Kryeministri Edi Rama, nga Ministria e Mbrojtjes, ku po mbahet një ceremoni me rastin e 73-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, deklaroi se kjo festë përkon me “Vitin e Skenderbeut”.

Kreu i qeverisë theksoi se të rinjtë shqiptarë duhet të kujdesen për kujtimin e luftës, ndërsa shtoi se ata janë viktima të tundimeve radikalizuese. Teksa u ndal tek dekorimi i 4 ushtarakëve, ku medaljet e nderit u dhanë nga ai, Rama tregoi ndjesitë e tij se ishte prekur kur dëgjoi fjalët e ushtarakëve.

“Nuk ka shembull më kuptimplotë dhe solid në fushën e jetës shoqërore se sa ai që dhanë këta ushtarakë që morën vlerësim simbolik, i cili nuk ka si të thotë mjaftueshëm për sakrificat e tyre. Ishte vërtetë prekëse që të dëgjoje prej tyre pas marrjes së dekoratave që t’i thonin ministres: “I shërbej Shqipërisë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se shqiptarët u renditen në krahun e fituesve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe falenderoi të gjithë ata që kontribuan për atë ditë.

“Shumë të dashur veteran, dhe pasardhës, shumë të nderuar gjeneral dhe ushtarak të FA-ve, të nderuar shkëlqesi dhe ambasadorë, përkujtimi i 29 Nëntorit, ditës së çlirimit të Shqipërisë, ka sot një ngjyrim të posaçëm, në shenjën e vitit mbarë kombëtar të vitit të Gjergj Kastriotit. Atë e shpallëm dje në Vlorën e Flamurit, si një vit që rrok jo vetëm një mori t datave të shënuar, por edhë një rend përparësish në politik bërje. Me një fokus të qartë tek rruga jonë e përbashkët e afrimit të përditshëm me familjen euriopiane, si një aspiratë e kahershme dhe si një angazhim i palëvizshëm i të gjithë shoqërisë tonë, i të gjitha forcave politike dhe qeverisë tonë të re. Në këtë përvjetor të çlirimit të Atdheut kemi mes nesh akoma më pak nga ata që ishin autorët e drejtpërdrejtë e asaj fitore të rëndësishme, që na bëri të gjithëve ne nderin e paçmuar të të qenit pjesë e një populli që u rendit në krahët e fituesve të Luftës së Dytës Botërore. Por veteranët dhe veteranët kanë pasues dhe ndërkohë që një cikël jete mbyllet, nis një tjetër cikël. Si një pishtar i pazëvendësueshëm për ndriçimin e rrugës së të ardhmes, ku përditë duhet të njohim vetveten si komb, si shteti. Ndërkohë që shumë pak gjëra kanë mbetur pa u ditur nga kjo luftë, ama ka diçka që mbetet përditë për tu zbuluar dhe kjo diçka është sensi i përkatësisë dhe zhvillimi i një angazhimi të përditshëm që lidhet me vlerat dhe ëndrrat që e çuan rininë shqiptare në mbështetje të Luftës nacionalçlirimtare. Në këtë pikë, rinia jonë posaçërisht ka shumë për të mësuar nga shembulli i asaj përpjekje pa u ngatërruar pas asaj që erdhi më pas, si një ide rrafshuese për shumë ëndrra dhe shpresa. Pa u ngatërruar po ashtu me gjithçka vjen sot jo si thjeshtim totalitarizues, se për fat të mirë ideologjitë që u përplasen në atë mur kanë vdekur, por si thjeshtim radikalizues, të rinjtë janë garancia e të ardhmes.”, pohoi Rama.

Në ceremoninë ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan Donald Lu, kryeministri Rama theksoi edhe njëherë rëndësinë e veçantë që do kenë Forcat e Armatosura në vitin e “Skëndërbeut”.

“Sa më shumë e jetojmë këtë botë, sa më shumë kuptojmë rreziqet për tu përballur me to, aq më shumë kuptojmë pse në SHBA ushtarakët, veteranët, vajza dhe djem që i bashkohen FA janë kaq shumë të nderuar dhe respektuar, aq më shumë kuptojmë sot se FA kanë në vetvete një garanci për të gjithë si një shëmbëlltyrë e faktit se radikalizimi dhe terrorizmi janë të mundshëm të thyeshëm dhe mbi ta do të fitojnë vlerat që mishëron fuqia e madhe, jo thjesht ushtarake por e bashkimit në një aleancë të vetme si NATO. 4 shembujt shumë njerëzorë dhe profesionalë që sot morën nderimin simbolik janë thjesht një pjesëz e gjithë atyre shembujve të përditshëm, të padukshëm në skenën e jetës publike të vajzave dhe djemve të atyre forcave, që nuk thirrën të flijohen por për të sakrifikuar e shpëtuar të tjerët nga kërcënimi i jetës”,- tha Rama.

Duke vijuar, kryeministri shtoi se: “Vitin e Skënderbeut e shpallëm jo për tu kthyer pas e për tu rënë daulleve të nacionalizmave, as për të rrahur gjoksin për ata që shkruan historinë me gjak e penë, por për të nxitur burimet më pozitive të kësaj shoqërie, për t’i dhënë mundësi të rinjve të shfrytëzojnë instrument, për të njohur vetveten dhe për t’i shërbyer Atdheut. FA do jenë një bazë ku rinia mund të gjejë hapësira për tu integruar duke u bërë pjesë e programeve”.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb