31-vjeçari që u gjet i vetëvrarë dje brenda komisariatit të Kavajës, ishte një emër jo pak i njohur për policinë. Gazetari Igli Çelmeta, raporton për “BalkanWeb”, 31-vjeçari Ilvi Meta është shoqëruar 18 herë në komisariat që prej vitit 2014.

I riu, u arrestua mesditën e së mërkurës për vjedhje, ndërsa për të njëjtën vepër penale ai ishte shoqëruar 18 herë që nga viti 2014.

Ai ishte dënuar 3 herë për vjedhje. 31-vjeçari ishte dënuar në 13 mars të 2011 nga Gjykata e Kavajës me 8 muaj burg për vjedhje. Po për të njëjtën akuzë, në vitin 2012 ai u dënua me 16 muaj burg, ndërsa në datën 07 gusht të 2010, gjykata e Durrësit e ka dënuar me 4 muaj burg po për vjedhje. Kujtojmë se ditën e djeshme ai u arrestua pasi akuzohej se kishte kryer vjedhje në një banesë. Më konkretisht dyshohet se ai kishte vjedhur një makinë qepëse dhe një prerëse pllakash.

Ngjarja dyshohej se kishte ndodhur me 2 prill, por me urdhër të Prokurorisë, ditën e djeshme u kërkua arrestimi i tij, pasi analizat kishin treguar se shenjat e gishtërinjve të gjetura në banesën e vjedhur, rezultonin të të riut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: