Këshilli Bashkiak i Divjakës zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme, për të diskutuar draftin e dërguar nga Kuvendi, pas propozimit të mazhorancës për reformën administrativo-territoriale.
Në këtë mbledhje morën pjesë 20 këshilltarë nga 31 që janë në total, ku të djathtët kërkuan të njihen me korrespondencën që ka mbajtur Bashkia Divjakë me komisionin hartues të reformës.
Po ashtu, këshilltarët kërkuan sqarime nga Kryetari i Bashkisë Josif Gorrea, lidhur me qëndrimin që mbajti në mbledhjen e zhvilluar me kryeministrin Rama, dy ditë më parë në Kuç.
Këshilltarët vendosën në mënyrë unanime që komisioni që do të ngrihet për të kryer dëgjesat publike me banorët e 5 njësive administrative të përbëhet nga 7 anëtarë, 4 përfaqësues nga bashkia dhe 3 nga këshilli bashkiak.
Këshilli Bashkiak i Divjakës miratoi në këtë mbledhje strukturën që do të kryejë dëgjesa publike dymujore për Reformën Territoriale, e cila më pas do t’i dërgohet Kuvendit.
Këshilltarët mbështetën banorët që zhvillojnë protesta prej 14 ditësh, duke shprehur kundërshtinë për shkrirjen e Divjakës dhe bashkimin me Lushnjën.
