Trajtimi efikas i kancerit kërkon jo vetëm aparatura të gjeneratës së fundit por edhe saktësi në dozimin e rrezatimit që përdoret te pacienti. Një aparaturë e cila nuk mirëmbahet dhe nuk i nënshtrohet proçedurave teknike të kalibrimit dhe çertifikimit, mund të kthehet gjatë trajtimit nga shërues në vrasës për të sëmurët me kancer.

Por garancinë për funksionimin e sigurtë të aparaturave të tilla e jep vetëm Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike me seli në Vjenë, e cila ka autoritetin absolut në botë për këtë gjë. Kjo agjenci si çdo vit ka audituar dy Akseleratorët Linearë të Qendrës së Radioterapisë Onkologjike në spitalin Hygeia dhe rezultati, siç pasqyrohet edhe në shkresën zyrtare të këtij institucioni dërguar spitalit Hygeia, ka konfirmuar edhe një herë se këto aparatura sigurojnë dozën e saktë të rrezatimit që duhet të aplikohet te pacienti gjatë trajtimit të kancerit me radioterapi.

Ky konfirmim sigurie është jetik për shëndetin e pacientit me tumor pasi, nëse rrezatimi për vrasjen e qelizave tumorale aplikohet jo sipas protokolleve ndërkombëtare për çdo tip kanceri, atëherë trajtimi është i paefektshëm në rastin më të mirë dhe me pasoja fatale në rastin më të keq.
thumbnail_leter_iaea3
Kështu, sipas mjekëve onkologë të këtij spitali, aplikimi i një doze të ulët rrezatimi nuk mund të shkatërrojë tumorin, ndërsa aplikimi i një mbidoze rrezesh mund të sjellë dëmtime të pakthyeshme edhe në organet e shëndetshme përreth masës tumorale, duke sjellë komplikacione fatale për jetën e pacientit. Mbidozimi ne rrezatim ka marrë jetë pacientësh edhe në vende të zhvilluara, ndaj sigurimi që këto aparatura të emetojnë rrezatimin e duhur, pra të jenë të kalibruara dhe të çertifikuara, është çështje shumë kritike dhe një garanci më shumë për pacientët me tumor.

Spitali Hygeia Tiranë, i pari dhe i vetmi spital privat në vend që prej 7 vitesh ka ngritur Qendrën e Radioterapisë Onkologjike, operon në eleminimin e qelizave tumorale nëmpërjet rrezatimit jonizues me 2 Akseleratorë Linearë të gjeneratës së fundit. Teknika e përdorur është ajo IMRT, një nga më bashkëkohoret që përdoret nga qendrat më të specializuara onkologjike në botë.

Çertifikimi një herë në vit i kalibrimit dhe dozimit të aparaturave të tilla, është standart pune për ekipin e mjekëve dhe laborantëve të këtij spitali, të cilët kërkojnë gjithmonë sigurimin e rezultateve terapeutike sa më cilësore për pacientët që marrin në trajtim.

Deri më tani departamenti i radioterapisë në spitalin Hygeia numëron rreth 4,200 pacientë të trajtuar me sukses dhe kjo jo vetëm si rezultat i profesionalizmit të stafit mjekësor, por edhe sigurimit të aparaturave bashkëkohore dhe aplikimit në mënyrë rigoroze të udhëzimeve dhe protokolleve ndërkombëtare për çdo tip tumori.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb