Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, është shprehur se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Durrësit, Igli Cara, është kandidatura më e mirë.

Komentet Krasniqi i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se grupe të caktuara kriminale dhe resurse shtetërore po përdoren në fushatën elektorale.

Krasniqi tha se në Durrës drejtimi i fushatës së PS-së po bëhet nga Enti i Energjisë.

Ai shtoi se grupe të shumta kriminale janë kthyer në Shqipëri për fushatë elektorale, pasi sipas tij, kanë marrë garanci nga strukturat shtetërore se nuk do të kapen.

“Në rastin e zgjedhjeve aktuale, pritshmëritë e ndryshimit janë minimale. Maxhoranca nuk kishte fuqitë të drejtonte një sërë bashkisë dhe dështoi. Rastin e Durrësit, që ndryshoi 3 kryetarë dhe dështoi. Këto zgjedhje treguan që ne nuk kemi parti. Treguan që ne kemi 3 lider politik që lëvizin me parti nga pas në të gjithë Shqipërinë.

Mendoj se kandidatura e Durrësit është më e mira në rang kombëtar. Por Durrësi është një qytet që kontrollohet nga grupe informale. Njëri grup janë grupet e biznesit me interesa të caktuara dhe grupi tjetër janë grupet kriminale që ndikojnë në zgjedhje. Ne patëm rastin që elementë kriminalë u kthyen në fushatë elektorale dhe në Durrës disa prej tyre u arrestuan. Ata erdhën me një garanci në Shqipëri. Tani ka mekanizma të tjerë që blihet heshtja.

Ju morët rastin e Durrësit. Drejtimi i fushatës në Durrës bëhet nga Enti Rregullator i Energjisë. Është absurde që Enti i Energjisë drejton fushatë elektorale. Kemi edhe rastin e Shkodrës, që grupe të caktuara drejtojnë periferitë e qytetit dhe ndikojnë që atje të mos ketë pluralizëm politik.

Në Elbasan, një pjesë e atyre që konsiderohen si brezi i ri paguhen nga këto grupe kriminale për të vëzhguar lëvizjet e kundërshtarit politik dhe për të tjetërsuar votën.

Zgjedhjet lokale janë të rëndësishme, por nuk vendosin fatin politik të Shqipërisë. Është më shumë një sinjal politik. Qeveria në Durrës duhet të kërkojë ndjesë që ka ndryshuar 3 kryebashkiakë, të kërkojë ndjesë që fushata drejtohet nga një person “non grata”.

Ne kemi kulturë ku nuk ka pasur program nga palët kryesore politike. Si ekspertë ne duam të ketë programe, po imagjino të vijë projekti i një kandidati që të thotë unë do të ndërtojë 500 kulla në Durrës dhe të fitojë zgjedhjet dhe thotë unë e kam lejen. Programet duhen në shoqëri të civilizuara. Imagjinoni një shoqëri europiane ku liderët dalin dhe sulmojnë me familje njëri tjetrin, ku i thuhet qytetarit “foli drurit”. Është absurditet që këta lidera të jenë shpresa të Shqipërisë. Mendoj që është absurde dhe e papranueshme që të pranohet që Durrësi të kthehet në një hapsirë të kontrolluar nga grupet kriminale”, u shpreh Krasniqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb