Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë urdhëruar banorët e qytetit jugor libanez Tiro të largohen urgjentisht nga shtëpitë e tyre, mes përshkallëzimit të tensioneve në rajon.

Sipas ushtrisë izraelite, evakuimi përfshin edhe banorët e lagjeve të krishtera dhe zonave përreth, të cilëve u është kërkuar të zhvendosen në veri të lumit Zahrani. Zëdhënësi i IDF-së, Avichay Adraee, deklaroi në rrjetin X se “prania e civilëve pranë elementëve të Hezbollahut rrezikon jetën e tyre” dhe se çdo ndërtesë e përdorur për qëllime ushtarake mund të jetë objekt sulmi.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi gjithashtu për granatime në periferitë e Mansourit dhe Majdal Zoun në zonën e Tiros, megjithëse këto nuk janë konfirmuar nga pala izraelite.

Zhvillimet vijnë në një moment tensioni të lartë mes Izraelit dhe Iranit, pas shkëmbimeve të fundit të sulmeve dhe deklaratave të ashpra nga të dyja palët. Teherani ka paralajmëruar se do të përgjigjet “seriozisht” nëse sulmet ndaj Libanit jugor vazhdojnë, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli do të pezullojë për momentin goditjet ndaj Iranit, por do të përgjigjet me forcë nëse sulmohet sërish.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje palëve të ndalin përplasjet dhe të vijojnë negociatat për një marrëveshje paqeje, duke theksuar nevojën për ulje të menjëhershme të tensioneve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: