“U detyruam me borxhe që ta ndërtonim shtëpinë se mos na zinte poshtë, një shtëpi modeste sa për të futur kokën”.

Një shtëpi sa për të futur kokën ishte ëndrra që kishte familja Onuzi prej 6 anëtarësh në fshatin e thellë malor të Skroskës në Përrenjas plot dy orë larg Librazhdit.

Kryefamiljari Sami Ozuni, sipas të gjitha rregullave mori lejen e rikonstruksionit për çatinë e shtëpisë e cila pa nisur punën nisi të shembej, ndaj dhe u detyrua që në themelet ekzistuese të shtëpisë së rrënuar me lekët e pakta që kishte arritur të mblidhte së bashku me fëmijët nga puna në emigracion të fillonte ndërtimin e saj.
Por gjërat nuk shkuan aspak mirë, pasi policia e gjeti shumë shpejt vendin e largët e të braktisur nga çdokush ku arrihet vështirë nëpërmjet një rruge të shkatërruar.

Kryefamiljarja tregon peripecitë për ndërtimin e shtëpisë.
Syrit të mprehtë të IKMT që punon me 2 standarde pasi ndërtimet gjigande që lulëzojnë pa leje në kryeqytet mesa duket nuk arrin t’i shohë, ato në zonat e thella që shkelen nga pak njerëz nuk i shpëtojnë.

Divije Ozuni thotë se 2 herë policia mësyu për kontroll, por nuk i ndaloi punimet për riparimin e shtëpisë që ngjante më shumë si kasolle bagëtish, pasi për to ishte njoftuar Bashkia sipas të gjitha procedurave. Befasia ishte pak muaj pasi banesa kishte përfunduar, kur IKMT lajmëroi se ndërtimi ishte pa leje, edhe pse ishte vënë në dijeni më herët për punimet.

Akuza për ndërtim të paligjshëm ishte e papritur për familjen Onuzi të cilët thonë se kishin vepruar me përpikmëri sipas ligjit. Kryefamiljari e gjeti veten në gjyq dhe me një dënim me 8 muaj burg për ndërtimin e shtëpisë që do e zinte poshtë atë bashkë me fëmijët nëse nuk do fillonte shpejt riparimin e saj.

Akuza për shkelje të ligjit ishte e papritur për një ndërtim për të cilin ishte proceduar sipas rregullave, por asnjë procesverbal nuk u mbajt për konstatimin e veprës penale. Një familje në kushte të vështira ekonomike, pa asnjë përkrahje përveç dënimit me burg po detyrohet të paguajë edhe për shpenzimet e gjyqit. Mesa duket kjo është kostoja që familjet e pamundura duhet të paguajnë me dëshirën për të pasur një strehë mbi kokë kur asnjë nga instancat shtetërore jo vetëm që nuk i shtrin dorën, por i dënon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb