Ilir Daja pas fitores së parë në kampionat me Partizanin, që të dielën mposhti 2-0 Kastriotin, për “Panorama Sport” ka pohuar se kurrë në karrierën e tij si trajner nuk ka përjetuar një situatë të ngjashme si tani me “demat” në start.

Timonieri i të kuqve jep arsyet e krizës, sqaron zërat në lidhje me mungesën e harmonisë, si dhe betimin që kanë bërë të gjithë bashkë për ta kaluar situatën. Në analizën e tij Daja tregon pse vjet ekipi ishte më rezultativ, si dhe zbardh punën e bërë gjatë merkatos së verës dhe shkaqet pse u larguan shumë ish-kampionë.

Trajneri, i pyetur se a ka qenë i lëkundur gjatë kësaj periudhe, u përgjigj duke dhënë dy anët e peshores, nga dorëheqja e parevokueshme te moslënia vetëm e lojtarëve.

Ai pohoi se me ndryshimin e ndodhur në verë, klubi mori kosto, por shpreson që këtë vit të realizojnë synimet dhe të hedhin një hap për vazhdimësinë e klubit, që të mos bëjnë ekip nga e para çdo vit, pasi kanë afruar të rinj të perspektivës.

Gjatë karrierës si trajner, keni pasur situatë të tillë si aktualja me Partizanin, ku në 7 javët e para nuk kishit marrë asnjë fitore?

Jo, nuk kam pasur asnjë situatë të tillë. Besoj se edhe këtë gjë e kemi trajtuar gjatë gjithë javës me lojtarët. Mendoj se nuk kemi problem mes grupit tonë, duke filluar që nga drejtuesit, lojtarët dhe stafi. Ne si staf u jemi drejtuar lojtarëve që këtë krizë rezultatesh e kemi bërë të gjithë bashkë.

Nuk do të gjenim se kush e ka më shumë apo më pak fajin. Futbolli është lojë kolektive dhe shpirti i skuadrës dhe ajo pjesë e sakrificës që u pa në ndeshjen me Kastriotin, është elementi kryesor. Kemi dalë në një përfundim të përbashkët, që të gjithë bashkë duhet ta rikthejmë këtë krizë rezultatesh. Unë vazhdoj t’i mbetem asaj që kam thënë gjithë kohës, se nuk na ka dominuar asnjë ekip, kemi zhvilluar lojëra të mira, por pikët na kanë munguar.

Për ta mbyllur këtë pyetje, është hera e parë që gjendem në një ekip që ka objektiva madhorë dhe me pritshmëri maksimale, siç është Partizani, dhe ndodhemi në këtë situatë. Por, të mos harrojmë edhe faktin që para takimit me Kastriotin u kemi thënë lojtarëve që distanca me vendin e katërt ka qenë vetëm 4 pikë dhe duhet t’i mendojmë hapat me radhë për të arritur pastaj drejt atyre objektivave që ka klubi.

A e keni parë veten ndonjëherë të lëkundur gjatë kësaj periudhe?

Janë të dyja anë të peshores. Njëra anë që mund të jepja dorëheqjen e parevokueshme, por ana tjetër ishte ajo që thosha se cila është arsyeja dhe nuk doja që grupin e lojtarëve ta lija që të luftonte vetëm. Kjo ishte pjesa e luftës që të gjithë bashkë kërkuam ta ndryshonim. Shpresoj ta vazhdojmë këtë lloj ndryshimi që u bë me marrjen e trepikëshit ndaj Kastriotit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb