TIRANË

Deputetja e LSI-së Erisa Xhixho, njëkohësisht nënkryetare e kësaj force ka folur në rubrikën “Opinion” në News24 për çështjen e inceneratorëve dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Sa i përket skandalit me kompanitë fiktive dhe skemën e përdorur nga kompanitë e inceneratorëve ajo deklaroi se drejtësia e re është në provë dhe duhet të veprojë sa më shpejt.

“Denoncimi i parë daton një vit më parë, kur znj. Kryemadhi denoncoi dosjen e parë të inceneratorit të Elbasanit, më pas vijoi me Fierin dhe Tiranën. Besoj se është një nga aferat më të mëdha korruptive në 30 vite. Ne nuk jemi mjaftuar me ato denoncime, kemi vijuar, me denoncime që thellojnë skandalin e inceneratorëve, siç ishte ai i kompanive fiktive. Janë 24 kompani, por figurojnë dhe të tjera. Se si janë përdorur këto kompani fiktive për të fryrë kostot e inceneratorëve, për të marrë mbrapsht TVSH-në. Një skemë korruptive, ku kanë dalë persona që nuk kanë lidhje, si të moshuarit, çobani në Greqi, një zonjë e ndjerë. Në llogarinë tonë evazioni fiskal përllogaritet në vlerën e 186 mln euro. Vetëm për inceneratorët, kjo skemë ka prodhuar 300 mln euro evazion fiskal.
Ne presim që drejtësia të veprojë sa më shpejt. Do duhet të kishte vepruar para 25 prillit. Kemi bindjen se këto miliona euro, janë përdorur në zgjedhjet e 25 prillit, por më tej duke blerë dhe lobingje, e faktorë të tjerë, për të mbyllur gojën dhe për të mos folur për këtë aferë. LSI ka pasur një qasje ndryshe. Ne për herë të parë, me fakte, shifra, dokumente zyrtarë kemi depozituar në organet e drejtësisë. Ky është testi i parë për organet e reja të drejtësisë. Për ne duhet të jetë dhe Armando Subashi pjesë e hetimit për inceneratorin e Fierit”, deklaroi Xhixho.

Ajo theksoi më tej se çdo ditë edhe pse nuk ka incenerim, nuk kemi proces, ne paguajmë thjesht për landfill, jo për incenerim, paguajmë për një shërbim që nuk e marrin qytetarët.

“Denoncimi në SPAK është dhe për z. Veliaj. Padyshim në krye të kësaj mega afere, në krye të këtij grupi të strukturuar kriminal, është kryeministri Edi Rama, përgjegjësi kryesor. Kërkesa jonë është të zbardhet sa më shpejt kjo megaaferë, në kushtet kur pagesa vazhdon”, tha deputetja e LSI.
Ajo deklaroi se pritshmëria dhe fokusi është inkurajimi i SPAK për të vepruar sa më shpejt. “Në momentin që e kemi çuar në SPAK, kemi treguar besim ndaj këtij institucioni, por padyshim dhe e kemi vënë në provë. Ne kërkojmë transparencë dhe përgjegjësi para ligjit dhe veprim sa më të shpejtë të organeve të drejtësisë.
Shqetësimi ynë është vetëm që drejtësia ta zbardhë sa më shpejt. Kjo është prova më e madhe për ta ndarë drejtësinë e vjetër nga drejtësia e re”, u shpreh Xhixho.

Lidhur me negociatat, ajo tha se është një lajm i shkëlqyer, por se duhet të kishte ndodhur kohë më parë.
“Momenti i çeljes së negociatave është një lajm i mirë për Shqipërinë. Duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Si LSI kemi dërguar në mënyrë konstante letra ndaj BE-së, për hapjen e negociatave dhe pse i dinim problematikat. Dimë shumë mirë gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Çështja është se ky moment për Shqipërinë është i domosdoshëm, krijon një monitorim më të madh të BE-së ndaj Shqipërisë, në mënyrë që të arrihen ato standarde që ka çdo vend anëtar për të pasur mundësi për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Është proces i vështirë, duhet të përfshijmë çdo burim njerëzor që ka Shqipëria. Duhet të jetë një prioritet kombëtar, sikurse e kemi thënë vazhdimisht.
Nuk ka më kohë për të humbur, kur shoh që të rinjtë largohen, kur shoh krizën e madhe ekonomike ku është vendi. Padyshim është një lajm i shkëlqyer për vendin dhe pse i vonuar në kohë.
Fajtori për vonesat është qeveria, ajo ka detyrimin për plotësimin e kushteve që u shtuan. Në rezolutën e fundit, janë mbi 40 problematika të vendit, që nga zgjedhjet, miratimi i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese, për shitblerjen e votës, për problemet me mediat, për të drejtat e njeriut etj. Qeveria duhet t’i kishte përmbushur kohë më parë kushtet, sepse në fund ky është një proces meritokracie”, u shpreh deputetja e LSI.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb