Numri i të vdekurve nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut javën e kaluar në veri të Indisë është rritur në 72, bënë të ditur sot autoritetet indiane.

Qendra shtetërore operacionale për raste urgjente theksoi se edhe 26 persona tjerë u lënduan në shtetin Uttarakhand ndërsa katër llogariten si të zhdukur. Sipas qendrës, 35 viktima u regjistruan në rrethin Nainital.

Rreth 224 shtëpi u dëmtuan për shkak të shirave të dendur që shkaktuan shkatërrime në shtetin i cili shtrihet në Himalaje.

Autoritetet nisën operacionet e shpëtimit menjëherë pasi shirat e dendur goditën vendin dhe shkaktuan shkatërrime të mëdha.

Mes viktimave është një grup alpinistësh të zhdukur në male.

Rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet janë të zakonshme në veriun e Himalajeve Indiane. Shkencëtarët thonë se ngrohja globale po kontribuon në shkrirjen e akullnajave duke çuar në fatkeqësi edhe më të shpeshta.

Në shkurt, rreth 200 persona humbë jetën nga përmbytjet në Uttarakhand dhe mijëra humbën jetën në përmbytjet e vitit 2013.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb