Një infermiere shqiptare që prej 30 vitesh jeton dhe punon në Itali iu bashkua sot protestës së 68-të kundër kryeministrit Edi Rama në Tiranë.

Mes lotësh, ajo rrëfeu përvojën e saj me pacientët shqiptarë që detyrohen të largohen jashtë vendit për të marrë trajtim mjekësor, duke thënë se shumë prej tyre përballen me vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së shërbimeve të nevojshme në Shqipëri.

“Jam infermiere në Itali. I shoh me sytë e mi pacientët që vijnë nga Shqipëria në Itali për t’u kuruar. Ata që nuk kanë mundësi të kurohen këtu, vijnë dhe kurohen andej mes shumë peripecive, nuk dinë as gjuhën. Ata që vijnë andej më dhembin. Pse mos të kurohen në vendin e tyre?!”, tha ajo.

Ajo tregoi se gjatë viteve ka dëgjuar shumë qytetarë shqiptarë që shprehen të pakënaqur me gjendjen e spitaleve në vend, duke i shtyrë të kërkojnë zgjidhje jashtë kufijve.

“Jetoj prej 30 vitesh në Itali. Ata që kanë përjetuar këtu eksperiencën thonë se në spitalet këtu është shumë keq. Ndaj marrin rrugën për jashtë, se kanë frikë se do vdesin në vendin e tyre.”, pohoi ajo.
Infermierja u shpreh se dëshira e saj është që shqiptarët të kenë mundësi të marrin shërbim shëndetësor cilësor në vendin e tyre, pa qenë të detyruar të largohen për trajtime jashtë Shqipërisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb