Davide Pecorelli, i cili inskenoi zhdukjen në Shqipëri, është arrestuar në Itali dhe është në pritje të ekstradimit.
Kjo bëhet e ditur nga Policia e Perugias e cila njofton se është kryer arrestimi i tij me qëllim ekstradimin drejt shtetit shqiptar.

“Nga hetimet e Policisë së Shtetit ka rezultuar se në janar të vitit 2021 Pecorelli, për t’i shpëtuar borxheve financiare të kontraktuara në Itali, i kishte vënë flakën një makinë të marrë me qira në fshatin Rras të Shqipërisë, në brendësi të të cilës janë kishte gjetur mbetjet e eshtrave të një njeriu për të simuluar vdekjen e tij”, thuhet në deklaratë.

Pecorelli më vonë u gjet i gjallë më 17 shtator 2021 në ishullin Montecristo, në Itali.

“Dokumentet e arrestimit të sotëm i janë dërguar Prokurorit të Përgjithshëm të Perugias, Sergio Sottani, për t’u dorëzuar të hënën në verifikim në Gjykatën e Apelit të Perugias”, përfundon selia e policisë.

Kujtojmë se 46-vjeçari nga San Guistino, akuzohet për këto krime: mashtrim, përdhosje varresh, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” , “shkatërrim mallrash me zjarr” dhe “kalim i paligjshëm i kufirit”.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit

Vijon shkëmbimi i informacionit me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Finalizohet nga Policia italiane, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, operacioni policor i koduar “Perugia”.

Kapet dhe vihet në pranga një shtetas italian, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie nga Gjykata e Pukës, për një sërë veprash penale.

Në vijim të bashkëpunimit policor me partnerët italianë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbrëmjen e sotme, në Perugia, Itali, Policia italiane, në bazë të kërkesave të autoriteteve policore dhe të drejtësisë shqiptare, falë shkëmbimit të informacionit mes policive të të dy vendeve, finalizoi operacionin policor të koduar “Perugia”, në kuadër të të cilit kapi dhe vuri në pranga shtetasin italian D. P., 47 vjeç.

47-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, ka caktuar ndaj tij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Ky shtetas, në janar të vitit 2021, inskenoi ngjarjen e vrasjes së tij dhe djegies së trupit.

Si rezultat i hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit shqiptar dhe Prokuroria e Pukës, në bashkëpunim me homologët italianë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe lokalizimi i shtetasit D. P., në një ishull.

Arrestimi i 47-vjeçarit, nga Policia italiane mbrëmjen e sotme në Perugia, u bë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: