Ish-Ambasadori Roland Bimo i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24 , ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si po trajtohet procesi i integrimit europian dhe ndikimin e tij në çështje që ai i konsideron jetike për kombin shqiptar.

Bimo u shpreh se në procesin e integrimit rrezikohet që të lihen pas dore çështje të rëndësishme si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe të drejtat e shqiptarëve në rajon, duke theksuar se integrimi nuk duhet të vijë në kurriz të interesave kombëtare.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë nuk do të pranonin një integrim që dëmton interesat më të gjera kombëtare. Ai shtoi se shpesh integrimi është paraqitur si një arritje ekskluzive e qeverive, ndërsa sipas tij ky proces i përket gjithë shoqërisë.

Bimo kritikoi gjithashtu mënyrën e qeverisjes dhe funksionimin e shtetit ligjor, duke deklaruar se problemet institucionale janë ende të thella dhe se kjo reflekton mungesë standardesh europiane në vend.

“Për çështje që kanë të bëjnë me politikën e jashtme është e rrezikshme që për hir të integrimeve ne lëmë pas dorë çështje jetike të kombit shqiptar siç është Kosova, Maqedonia e Veriut, të drejtat e shqiptarëve. Përse? Për hir të integrimit. Kam përshtypjen që shqiptarët po ti pyesësh nuk do e donin një integrim në kurriz të interesave të kombit shqiptar disi më gjerë. Qeverisja shqiptare,historikisht është munduar ta paraqesë integrimin si atribut të vetën, jam unë që po ju çoj ju , po në fakt ju nuk e meritoni. Dhe kjo më bezdis shumë. Pra mënyra se si trajtohet nuk është që shqiptarët të kenë një shtet ligjor, që çështjet ligjore të zgjidhen. Nëse do kishte një dron të xhironte, do shohësh që Shqipëria i ngjan më shumë një vendi të Lindjes së Mesme. Integrimi në BE, një koleg diplomat më ka thënë “kur ju nuk do të doni më të hyni në BE” , nuk po them që ne do arrijmë në këtë pikë, por synimi ky është. Puna është sa Europë kemi ne në Shqipëri”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb