Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka deklaruar se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po mbahet i mbyllur dhe hermetik nga qeveria.
Në fjalën e saj në Kuvend, ajo kërkoi që kryeministri Edi Rama të raportojë publikisht për ecurinë e negociatave dhe të japë llogari mbi procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ajo shtoi gjithashtu se qytetarët dhe Kuvendi duhet të kenë më shumë informacion mbi ecurinë e procesit, duke theksuar se vendet e rajonit po ecin më shpejt drejt BE-së.
“Rama duhet të flasë shqip këtu jo serbisht. Nuk mund të krijojë axhenda, por të jetë këtu të japë llogari pse Mali i Zi është më parë se ne dhe do të hyjë më parë se Shqipëria në familjen europiane. Është një proces që po e mbani sekret dhe hermetik. Pse nuk publikohen kushtet, çfarë sekreti mbani. Ju kërkohen certifikata sigurie personave që merren me negociatave? AKSHI në duart e krimit të organizuar. Pse integrimi të jetë hermetik?”, tha ajo.
