Mbrëmje magjike për Inter në Stadio Olimpico. Zikaltërit triumfojnë 2-0 ndaj Lazios dhe ngrejnë lart Kupën e Italisë për herë të dhjetë në histori, duke kompletuar kështu dopietën sezonale pas fitimit të kampionatit.
Skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu zhbllokon sfidën që në minutën e 14-të. Nga një goditje këndi e ekzekutuar nga Federico Dimarco, Adam Marušić devijon topin në portën e tij, duke i dhuruar avantazhin Interit.
Zikaltërit vazhdojnë të ushtrojnë presion dhe në minutën e 35-të gjejnë edhe golin e dytë. Një gabim i Nuno Tavares shfrytëzohet nga Denzel Dumfries, i cili shërben për Lautaro Martínez: kapiteni argjentinas nuk gabon përballë portës dhe dërgon shifrat në 2-0.
Në pjesën e dytë, Lazio përpiqet të reagojë. Tijjani Noslin shkon pranë golit me një goditje të rrezikshme, ndërsa Boulaye Dia ndalet nga pritja vendimtare e portierit Josep Martínez.
Nga ana tjetër, Interi administron me qetësi rezultatin dhe madje i afrohet edhe golit të tretë me Luis Henrique. Në minutat finale nuk mungojnë tensionet në fushë pas ndërhyrjes së ashpër të Pedro Rodríguez ndaj Dimarcos, por kjo nuk ndryshon historinë e finales.
Në fund është festa zikaltër: Inter Milan fiton Kupën e Italisë 2025/26 dhe konfirmohet skuadra dominuese e sezonit në futbollin italian.
Dopietë trofesh që në sezonin e parë për Chivun, me rumunin që theksoi vështirësinë e suksesit të dyfishtë sezonal: Jam shumë I lumtur për këta djem. Asnjëherë nuk është e thjeshtë të fitosh trofe. Pas scudettos, i dhuruam tifozëve një tjetër moment lumturie duke fituar Kupën e 10 në historinë e këtij klubi.Kemi bërë një sezon fantastik”, përfundoi tekniku i zikaltërve.
