Pas njoftimit zyrtar të djeshëm nga Olympique Marseille, vjen edhe njoftimi për shtyp nga Interi në lidhje me transferimin e Joaquin Correa te klubi francez:

“FC Internazionale Milano njofton transferimin e Joaquin Correa tek Olympique Marseille. Sulmuesi argjentinas, i lindur në vitin 1994, u transferua në mënyrë të përkohshme, me të drejtën dhe detyrimin për ta blerë me përmbushjen e disa kushteve në favor të klubit francez”.

Pra, Joaquin Correa huazohet me të drejtën e blerjes, zyrtarisht. Olympique Marseille do të paguajë 2 milionë euro për huazimin e lojtarit për një sezon, pastaj 10 milionë të tjera në rast blerjeje.

Opsioni i blerjes së sulmuesit argjentinas bëhet i detyrueshëm nëse skuadra franceze kualifikohet në Ligën e Kampionëve, në fund të sezonit të ri që sapo ka nisur. Ndërkohë, sot pritet zyrtarizimi i Alexis Sanchez, i cili sezonin e fundit luajti pikërisht te Marseille.

Nisur nga ana ekonomike, Inter del i fituar, por kiliani në dhjetor mbush 35 vjeç dhe forma e tij nuk është më ajo e dikurshmja dhe kjo lë vend për dyshime. Gjithsesi, Sanchez do të jetë alternativë në sulm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb