Nga: KSENOFON KRISAFI*
Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, përsa iu përket tentativave të palës greke për të hyrë dhe për të ndërmarrë veprimtari kërkimore për pasuritë e ndodhura në ujërat detare shqiptare në detin Jon, janë shqetësuese. Për më tepër nëse vendosen në kontekstin gjeopolitik rajonal të gadishullit, i cili kohët e fundit gjendet i ngarkuar me probleme të padëshirueshme, një pjesë e të cilave frymëzohen nga prirje anakronike nacionaliste. Këto ngjarje acarojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjin e saj jugor, Greqinë, me popullin e së cilës shqiptarët kanë ndërtuar prej shekujsh marrëdhënie miqësie në dobi të përbashkët.
Shqipëria dhe shqiptarët janë dalluar për qëndrimet e veta kurdoherë shembullore, paqësore, konstruktive dhe miqësore ndaj fqinjëve, për frymën e tolerancës edhe kur, forca të caktuara politike të ndodhura në pushtet në vendet përreth i kanë provokuar ose sulmuar. Sjellja e tyre ka qenë e përmbajtur, e ekuilibruar, aspak simetrike, me shumë qytetari. Nuk provohet as edhe një rast i vetëm që shqiptarët të jenë shfaqur në rolin e agresorëve, që të kenë sulmuar tokat e të tjerëve dhe të kenë kryer aty vrasje, masakra, gjenocid, bastisje, krime etj, në një kohë kur vetë kanë qenë objekt i trajtimeve të tilla.
Irritimi i palës greke i ditëve të fundit, retorika ekstreme e politikës dhe sidomos e medias, dëshmojnë më mirë se gjithçka se cili ishte qëllimi i saj i vërtetë gjatë negociatave dhe nënshkrimit të ngutur të të ashtuquajturës “marrëveshje detare”, të cilën, ish-ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis, që në momentet e para, e quajti një “arritje strategjike”. Ai tregon gjithashtu se fqinjët tanë, megjithëse kanë kaluar pesë vjet nga hedhja poshtë e saj, vazhdojnë të insistojnë për ta imponuar me premtime, mashtrime dhe kërcënime.
Acarimet e ditëve të fundit tregojnë edhe se ç’dëme të pallogaritshme mund t’i sjellin vendit politikanë, të cilët e duan pushtetin për të mbrojtur interesat vetjake ose klanore, pasurore dhe politike, që me veprime të papërgjegjshme sakrifikojnë shtetin, territorin e vendit, popullin dhe pasuritë e tij.
Është bërë tashmë e qartë se firma e hedhur nga ish-ministri i Jashtëm, në prani edhe të ish-kryeministrit të asaj kohe i shkaktoi vendit probleme me një fqinj, me të cilin ai dëshiron miqësi. Ajo firmë mund të sillte madje humbjen e një rajoni me rëndësi të veçantë gjeostrategjike, prej 354.4 km katrorë.
Tentativa e dështuar për të ceduar territorin shqiptar, në prillin e vitit 2007, ishte një veprim i fajshëm që duhet ndëshkuar, sepse, siç shkruante Faik Konica, në marsin e 1900, “Shqipëria është e shenjtë, asnjë pëllëmbë nuk falet. Sepse kush ka falë a ka bërë pazare, qoftë edhe në tryezat politike e diplomatike, ka bërë thjesht tradhti kombëtare, është i përçmuar, tek mban mbi kurriz damkën e turpit të përjetshëm dhe peshën e mëkatit të pashlyer”.
Treshja politike e asaj kohe, duket se nuk e ndjen sa duhet peshën e përgjegjësisë për veprimin antikombëtar dhe antikushtetues, prandaj dhe nuk ka bërë ende mea culpa-n. Në këto ditë problemesh krejtësisht të padëshiruara në marrëdhëniet shqiptaro-greke, të cilat, shpresohet sinqerisht se do të kalohen pa shqetësime, nga politika në të dy anët e kufirit, ish- kryeministri Sali Berisha dhe shpura e ish-ministrave të tij, që kryesonin dikasteret e punëve të jashtme, të mbrojtjes dhe të drejtësisë, heshtin dhe nuk thonë asnjë fjalë. Gjashtë vjet më parë ata blasfemonin si “sharlatanë” grupin e intelektualëve, studiuesve, gazetarëve etj, që, të frymëzuar nga ndjenja e patriotizmit, e trajtuan çështjen me kompetencë profesionale, e shndërruan në problem madhor të ruajtjes së integritetit kombëtar, dhanë alarmin dhe ngritën zërin për rrezikun e cedimit të detit dhe e konsideruan firmosjen e të ashtuquajturës “marrëveshje” si akt të tradhtisë kombëtare. Në atë kohë grupi i politikanëve, bashkëpunëtorë dhe bashkautorë të këtij veprimi, përbetoheshin se nuk është lëshuar as edhe një centimetër territor. Por alibia e tyre u përgënjeshtrua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të 15 prillit 2010. Pikërisht ata, sot, kur duhet të flitet sepse po krijohen situata të pakëndshme në marrëdhëniet me fqinjët, heshtin dhe nuk guxojnë të thonë asnjë fjalë.
Zhvillimet në marrëdhëniet shqiptaro-greke tregojnë në të njëjtën kohë se ç’ndodh kur administrata mbushet me militantë partiakë, të cilët nga servilizmi apo injoranca profesionale, nuk gjejnë dot kurajën të hedhin poshtë urdhrat haptas të paligjshëm, të kundërshtojnë dhe t’iu thonë eprorëve të vërtetën.
Irritimi i disa qarqeve ekstremiste politike greke, flet gjithashtu për faktin se Athina është mësuar që, në marrëdhëniet me Shqipërinë, të sillet duke shpërfillur normat dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, duke cenuar interesat shqiptare. Në këtë optikë, shkakton pezmatim dhe keqardhje edhe deklarimi i 13 janarit të këtij viti, i kryeministrit aktual grek, Cipras, i cili, lidhur me këtë çështje, pohonte shprehimisht: “Ne si shtet nuk bëmë ato që duhet të bënim pas rrëzimit të kësaj marrëveshjeje, sepse në të njëjtën kohë që pranojmë vendimin e tyre (shqiptarëve) për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje, i dhamë “dritën jeshile” Shqipërisë për çështje që kishin të bënin me ftesën në NATO apo Bashkimin Europian. Sigurisht që ishte edhe faji ynë që këtë marrëveshje nuk e sollëm në Kuvend për ratifikim. Sot këto gabime po i paguajmë. Kjo çështje duhet të zgjidhet me seriozitet dhe duke u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare”.
Në kohët e shkuara Greqia është ndjerë e përkëdhelur dhe nuk ka nguruar të kërkojë gjithçka që ka dashur, pavarësisht se cenohet Shqipëria. Kur autoritetet shqiptare, në pajtim të plotë me normat dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, i kujtuan se nuk mund të shkelen interesat e shqiptarëve, furia greke u përplas vrullshëm dhe pa mëshirë, pa kufij etike, ndaj një vendi sovran, duke lëshuar epitete lënduese të llojllojshme. Kërkesa normale, e shprehur në notën e MPJ të Shqipërisë, për t’u informuar për veprimet që po ndërmerren në rajonin detar jugor shqiptar si dhe njoftimi që të respektojnë tërësinë territoriale të shtetit shqiptar, u konsiderua nacionalizëm, iridentizëm, pretendim për krijimin e Shqipërisë së Madhe, veprim i nxitur dhe i frymëzuar nga Turqia etj. Nuk vonoi që politika greke e retorsioneve të shfaqej edhe në këtë rast, veçse jo si dikur, në formën e operacioneve “fshesa”, por në mënyra më të “rafinuara”, më “diplomatike”, duke anuluar pjesëmarrjen e kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm grek në dy veprimtari rajonale të rëndësishme në Tiranë etj. Në vijim zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Constantinos Koutras, duke marrë një rol që nuk i përket, gjykoi vrazhdë veprimet legjitime të një shteti sovran dhe u shpreh se “Udhëheqja politike e vendit tonë fqinj dhe mik po degradon me fjalë dhe vepra çdo ditë”. Ai iu referua deklarimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili në një konferencë shtypi, të ditëve të fundit, tha me shumë korrektësi se “me Greqinë … kemi një partneritet të nënvizuar strategjik dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj problemi … nuk shoh asnjë arsye në botë, që as Athina dhe as qarqe mendimtarësh ose politikanësh në Tiranë, të çuditen pse shteti shqiptar kërkon nga autoritetet greke, bazuar në praktikat rutinore të diplomacisë dhe të drejtës ndërkombëtare, informacion për kërkimet në det. …Ne nuk kemi ndërmend ta negociojmë interesin kombëtar për të krijuar idenë e një fqinjësie të mirë. Nga ana tjetër, ne jemi zotuar të bëjmë një politikë të jashtme me zero probleme me fqinjët, por ne nuk jemi zotuar të mbyllim sytë kur shfaqet një problem që nuk e kemi krijuar ne dhe nuk e ushqejmë ne. Për sa i përket pastaj çështjes që lidhet me zgjedhjen e nënkryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, ashtu siç ne nuk e imagjinojmë që t’i tregojmë Athinës se kë duhet të zgjedhë në krye të Parlamentit apo në nënkrye të Parlamentit apo se kë duhet të përfshijë në qeverinë sovrane, ashtu dhe nuk e imagjinojmë dot që Athina apo kushdo kryeqytet tjetër, të na tregojë ne, se si duhet të veprojë Parlamenti i zgjedhur nga populli sovran. Kështu që, besoj se kjo është një çështje e qartë për ne, duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe është një problem tërësisht artificial”. Këtij qëndrimi, zëdhënësi Coutras, iu kundërvu duke tejkaluar normat e zakonshme të etikës diplomatike, që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve sovrane. I dha vetes të drejtën që t’i tregonte “vendit fqinj dhe mik” se duhet të kthehet te logjika dhe te respekti për ligjshmërinë dhe për të drejtën ndërkombëtare, të cilat, sipas tij, janë rruga më e sigurt për perspektivën europiane të Shqipërisë. Me keqardhje mund të thuhet se “logjika dhe respekti për ligjshmërinë” që i sugjerohet Shqipërisë është që ajo të shkelë interesat e veta kombëtare, të mos zbatojë një vendim të formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, që e konsideron nul dhe të pavlerë atë që Athina e quan “marrëveshja e detit”, të pranojë t’i japi Greqisë 354.4 km² nga territori i vet shtetëror. Por, kjo nuk është logjike dhe as respekt për “ligjshmërinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, që i kujtohet vazhdimisht Tiranës zyrtare, bashkë me kërcënimin për përdorimin e vetos për hyrjen në Europë. Ky është abuzim me termat ligjshmëri dhe e drejtë ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare ka përcaktuar se parimet bazë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve janë respektimi dhe moscenimi i tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror, respektimi i barazisë sovrane, mosndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit, mospërdorimi i mjeteve të tilla si mashtrimi, presioni, kërcënimi, intimidimi etj. Nëse zëdhënësi e ka sërish fjalën për epërsinë e traktateve ndërkombëtare ndaj të drejtës së brendshme, siç është përsëritur shumë herë, duhet patur parasysh se normat e të drejtës ndërkombëtare dhe posaçërisht Konventa e Vjenës për të Drejtën e Traktateve, e vitit 1969, e pranon atë, por vetëm kur traktati është bërë realisht traktat, kur ka përshkuar fazat e domosdoshme dhe ka hyrë në fuqi. “Marrëveshja e detit”, që u realizua në shkelje të parimeve të rëndësishme të së Drejtës së Traktateve, që përjashtojnë mashtrimin, presionet, kërcënimin etj, nuk u bë dot traktat ndërkombëtar, rrjedhimisht nuk mund të referohet si “e drejtë ndërkombëtare”.
Me të drejtë lind pyetja, ç’kërkojnë këto qarqe greke me deklarime të tilla, t’i mbyllin gojën Shqipërisë që të mos guxojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e veta?! Me këtë mënyrë të menduari, që frymëzohet nga e shkuara dhe jo nga e ardhmja euro-atlantike e popujve, nuk i shërbehet forcimit dhe mbarëvajtjes së marrëdhënieve shqiptaro-greke, nuk i shërbehet shqiptarëve dhe grekëve, që kanë treguar se e duan dhe e respektojnë njeri-tjetrin.
Veprimi i MPJ dhe i qeverisë shqiptare është plotësisht në pajtim me parimet dhe normat ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve sovrane dhe i shërben ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë. Reagimet e qarqeve greke janë reminishenca të një të kaluare që i ka rrënjët te Megali Idea dhe i shërbejnë të kundërtës. Veprimi i autoriteteve shqiptare duhet përgëzuar, mbështetur dhe inkurajuar fuqimisht, me qëllim që ato, me urtësi, maturi, qytetari dhe vendosmëri, të mbrojnë interesat e shenjta të shtetasve shqiptarë. Ky qëndrim shkon në të njëjtën linjë me përcaktimet lapidare të rilindasve shqiptarë, të sintetizuara në fjalët e Naim Frashërit, i cili thoshte se “ne me sllavët e grekët, me të gjithë fqinjët tanë, duam të rrojmë ngaherë në harmoni si vëllezër, veçse e drejta e gjithsecilit të respektohet… “. Ai është po ashtu i asaj fryme që përçonte kryetari i shtetit të parë modern shqiptar, Ismail Qemali, i cili, në ditët e shpalljes së pavarësisë thoshte se “ Shqiptarët …kanë ndjekur vetëm një qëllim, të jetojnë në paqe me të gjithë shtetet ballkanike dhe të jenë element ekuilibri”.
Tiranë, më 28 maj 2015

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: