Nga Sherif BUNDO

“Dymbëdhjetë vjet pas ndarjes së vitit 2014, Shqipëria përballet me pyetjen nëse problemi qëndron te numri i bashkive apo te modeli i organizimit financiar dhe administrativ të pushtetit vendor”. Nuk dëshiroj të mendoj se edhe kjo reformë e re për ndarjen teritoriale do të dështojë si e para. Por, në kohën kur opinioni publik është mbarsur me lloj lloj reagimesh dhe komentesh mbi të ashtuquajturën reformë e re e ndarjes teritoriale, ja vlen të thuhen disa të vërteta. Le të jemi të sinqertë të paktën me veten tonë, dhe të paktën një herë të vetme.

Është bërë e udhës që në vëndin tonë të bëhen reforma dhe të hartohen ligje të reja ashtu nisur nga një tekë personale apo nga një pakënaqësi personale e një drejtuesi të lartë ndaj një qyteti, ndaj një zone që nuk e ka mbështetur mazhorancën që harton dhe miraton politikat, apo edhe ndaj një drejtuesi të vetëm të një minoriteti. Në rrjetet sociale, përfshi edhe ato që ushqehen prej mazhorancës, është publikuar një projekt ligj për ndarjen e re territoriale. Shtrohet një pyetje: Pse lindi nevoja e një reforme të re të ndarjes teritoriale prej të njëjtës forcë politike që para një dekade hartoi ndarjen territoriale të organizimit aktual? Tani, të paktën, duhet të bëjmë një bilanc të fruteve të asaj reforme para se të flasim dhe të iskutojmë për një reformë të re. Ndarja territoriale që kemi aktualisht është një nga reformat e para të shumicës së sotme. Në vitin 2014, numri i njësive të qeverisjes vendore u reduktua nga 373 komuna dhe bashki në 61 bashki; u ruajtën 12 qarqet si niveli i dytë i qeverisjes vendore; ish-komunat u shndërruan në njësi administrative brenda bashkive të reja. Cilat ishin pasojat?

Fshati si identitet, ekonomi dhe trashëgimi kombëtare
Reforma u konceptua në mënyrë të gabuar. Shërbimet publike që prodhonte pushteti vendor u larguan nga përfituesit e shërbimeve. Njësitë e qeverisjes vendore u konceptuan në mënyrë të gabuar si njësi vetqeverisëse në këndvështrimin financiar. (Për këtë koncept do shkruaj pak më poshtë). Ato njësi që nuk gjeneronin të ardhura do të dështonin. Qeverisja qëndrore do të merrte përsipër vetëm garantimin e fondit të pagave dhe investimet në ndonjë projekt kombëtar sikurse ishte rilindja urbane. Përfundimi: Zonat pa të ardhura u braktisën. Qëndrat e ish komunave që mbanin akoma aktive disa banorë, disa shërbime sikurse arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet e tjera të karakterit bujqësor, u braktisën. Popullsia ra në mënyrë drastike. Kjo rënie dhe ky dështim u përshpjetua nga qëndrimi arrogant i qeverisjes qëndrore. Fati e desh që shumica të vihej në një sprovë të paprecedentë: Pothuaj të gjitha bashkitë dhe qarqet janë administruar dhe qeverisur nga e njëjta forcë politike, sepse sikurse dihet PD dhe partitë e tjera të opozitës në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, nuk morrën pjesë. Reforma e tanishme, pamvarsisht llakut politik dhe mediatik, pamvarsisht fasadës, shpjegohet si nevojë sepse disa bashki nuk arrijnë të vetqeverisen financiarisht. Kjo temë ha shumë diskutim dhe nuk është ky qëllimi i shkrimit tim. Së pari, më duhet të nënvizoj që: Përpara se të hidhet për diskutim nevoja e një reformimi të ri të ndarjes territorial, duhet të kemi kurajon të pranojmë gabimet në konceptimin e reformës së mëparshme. Nuk janë shumë dymbëdhjetë vjet për të thënë që koha e bëri të nevojshme reformën e re.

Ajo që duhet thënë me kurajo është se reforma e vitit 2014 ka dështuar. Për këtë duhet bërë një analizë dhe duhen thënë publikisht disa konkluzione. Po. Reforma e vitit 2014 ka dështuar dhe fill pas saj filloi braktisja në masë e fshatrave. Kemi braktisur fshatin, jo vetëm si faktor ekonomik, por në rradhë të parë si faktor identiteti, si origjinë e jetës, si mënyrën tona tradicionale të të jetuarit, si thesarin e kulturës dhe të mikpritjes, si organizim të mirëfunksionimit të jetesës në komunitete të vogla. U detyruam të ngjeshemi në disa qytete mostra, pa shërbime publike, me probleme pa fund. Harruam fshatin, atë që na rruajti nga asimilimi, që na dha mundësinë të ngelemi shqiptarë, që na dha mundësinë të konservojmë dhe të pasurojmë gjuhën tonë. Dhe nga pikpamja ekonomike, kemi braktisur potenciale pa fund zhvillimi të zonave kodrinore dhe malore.

Nuk bëhet zhvillimi i fshatrave me projekte individuale, me klientë të veçantë dhe me fonde të akorduar për miqtë. Kjo mënyrë i klasifikon banorët e këtij vëndi në të preferuar dhe të padëshiruar. Ata të padëshiruarit, nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të kërkojnë një jetë më të mirë, në një medis më të përshtatshëm. Protestat këtë po e thonë me zë të lartë. Në vitin 2014, u tha që do shkurtohet administrate e qeverisjes vendore dhe do reduktohen buxhetet dhe shpenzimet e panevojshme. Përfundimi: Nga 17 mijë punonjës në vitin 2015, sot në njësitë e qeverisjes vendore kemi diku te 37 mijë punonjës. Këto njësi janë kthyer në subjekte elektorale. Më gjeni një punonjës të vetëm që ka kurajën të deklarojë se mendon ndryshe dhe voton ndryshe dhe unë tërheq këtë konkluzion që shpreha.

Së dyti, kur një reformë dështon, korrigjimi nuk duhet bërë në linjën që dështimi thellohet. Shkrirja e disa bashkive, sipas projektit që qarkullon, është masë për shkak të dështimit në programet e zhvillimit të qeverisë. Nuk dua të tregohem cinik, por edhe modestia e tepërt të njëjtin vlerësim meriton. Në vitin 2016, në një shkrim, mbas një aktivi të madh në Berat të kryeministrit me drejtuesit e qeverisjes vendore, theksoj: “nuk mund të zhvillohen njësitë e qeverisjes vendore duke u bërtitur, as duke u thënë se ja ku i keni fondacionet dhe ambasadat, bëni projekte dhe fitoni fonde për zhvillim. Mos më hajdeni vërdallë nëpër zyrat e ministrive dhe mos më dërgoni deputetët të më luten”. Çfarë të mbjellësh do të korrësh. Gjëndja e pushtetit vendor është frut i kësaj politike. Si mund të mbahen bashkitë me fonde të grumbulluara nga duart e shtrira për ndihmë prej fondacioneve, projekteve, apo njohjeve me të huajt. Sigurisht, këto janë burime të rëndësishme. Por, bashkitë në rradhë të parë duhet të trajnohen, të kthjellohen në rolin dhe misionin që kanë. Të gjenerojnë burime në përputhje me veçoritë. Të kthehen në njësi aktive. Zonat nuk zhvillohen duke qarë përditë “nuk kemi fonde”. Drejtuesit e tyre duhet të kenë profil sipërmarrësi. E vetmja kohë kur ata i shoh të impenjuar është kur njoftohet se në zonat e tyre do shkojë për vizitë kryeministri. O zot çfarë kotësie!

Së treti, A e kanë të drejtën të propozojnë një reformë, të njëjtë me atë që ka dështuar, të njëjtet politikanë, e njëjta forcë politike? Çfarë garancie kemi që përsëri dështimin do kemi në tavolinë? Sjellja racionale dhe arsyetimi racional, aq më tepër thelbi i sistemit demokratik të qeverisjes, nuk e pranon që ata që kanë dështuar të vazhdojnë të servirin të njëjtat reforma me ato të dështuara. Kjo është parimore. Të paktën të pranohet dështimi dhe të ndëshkohen ata që kanë dështuar. Nuk bëhen shakara me fondet publike dhe me jetën e njerzve. Reforma e ndarjes territoriale është e lidhur jo thjesht me komoditetin e të jetuarit të banorëve në zonat që preken, por me ekzistencën dhe jetën e tyre. Kush nuk e pranon ka problem me veten. Në se ka që këto mendime i konsiderojnë pak të ngurta, unë do të vazhdoj të ngul këmbë në bindjet e mia, pa pasur asnjë rezervë në faktin që kam të drejtë dhe pa u tërhequr nga sulmet e qejfprishurve. Dua vetëm të shoh një ditë të qeshë vëndi dhe ekonomia. Kjo më intereson më shumë se gjithçka.

Mjaftueshmeri financiare apo barazi financiare?

Tani le të kthehemi te një temë parimore: A duhet të ndërtohen reformat për organizimin e pushtetit vendor bazuar në një kriter të vetëm: kriteri i mjaftueshmërisë së burimeve financiare? Kriteri i mjaftueshmërisë financiare është i rëndësishëm, por ai nuk mund të konsiderohet as si kriter i vetëm dhe as si kriteri që përcakton domosdoshmërinë e konfigurimit të njësive të qeverisjes vendore. Për këtë ka mjaft argumenta. Argumenti i parë është i lidhur me faktin se buxheti i shtetit është një portofol gjigand mjetesh financiare që ka si funksion bazë grumbullimin dhe shërndarjen e burimeve financiare në mënyrë të harmonizuar, zhvillimin ekonomik dhe mirëfunksioninim e administratës publike. Për rrjedhojë kriteri i bashkjetësës, i unitetit kombëtar, i solidaritetit dhe ndihmës, si dhe kriteret e domosdoshmërisë dhe lirisë diktojnë organizimin e financave publike në mënyrë të njëjtë, pamvarsisht se disa bashki kanë të ardhura më shumë dhe disa kanë të ardhura më pak. Ndryshe, duhet të jetonte vetëm Tirana, Durrësi dhe disa bashki në zonat turistike. Jo, zotërinj deputetë dhe politikanë. Gjithçka duhet të bazohet te paraimi i barazisë financiare. Shteti është i të gjithëve. Mos ndërtoni pabazi të ligjëruara. Mos e nxisni shpopullimin. Lexoni, shfletoni, dhe mësoni se paraja dhe financat janë krijuar pikërisht për ti dhënë kuptim shtetit, gjithë hapësirës territoriale si unitet. Është gabim i rëndë, është mjerim politik dhe intelektual, të mendosh se domosdoshmërisht një njësi e qeverisjes vendore duhet të vetëfinancohet me burimet e brëndshme financiare. Në se duhet patjetër të lidhet mirëfunksionimi i bashkive me mjaftueshmërinë financiare, atëherë autorizoni një pjesë të të ardhurave që rrjedhin nga burime të tjera si nga të ardhurat personale, nga TVSH, të mblidhen nga administrate tatimore dhe të shkojnë në buxhetet lokale. Nuk është lajthitje kjo që shkruaj.

Modeli zviceran: komuna të vogla, demokraci e forte
Ka edhe një problem tjetër. Bashkitë konceptohen si njësi të qeverisjes vendore me administratë të rëndë, me struktura të shumta, me departamente dhe drejtori. Mungon koncepti minimal i administrimit dhe qeverisjes publike. Disa bashki mund të funksionojnë me administratë të reduktuar, të thjeshtuar. Mjafton që përfituesi i shërbimeve publike të jetë më afër qëndrës që e ofron shëbimin. Në Zvicër ka rreth 2 100 komuna. Disa prej tyre janë shumë të vogla: ka komuna me më pak se 100 banorë, ndërsa disa kanë vetëm 30–50 banorë. Për shembull, ka fshatra alpine që funksionojnë si komuna të pavarura edhe me një popullsi shumë të vogël. A mund të jetë kështu Frashëri, Voskopoja, Thethi, Valbona, Kurveleshi, Vithkuqi, a ku e di unë cila qëndër tjetër? Të ardhurat e komunave atje, vijnë kryesisht nga: një pjesë e tatimit mbi të ardhurat e qytetarëve; një pjesë e tatimit mbi fitimin e bizneseve; tatimi mbi pasurinë; taksat vendore për shërbime publike (uji, mbeturinat, kanalizimet etj.); transfertat nga kantoni dhe nga sistemi i barazimit financiar (pra nga buxheti i shtetit).

Në disa kantone, komunat kanë të drejtë të vendosin vetë nivelin e taksave lokale, duke shtuar ose ulur normën bazë kantonale. Banorët marrin pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje. Në komunat e vogla, ata mblidhen në asamblenë komunale (Gemeindeversammlung), ku votojnë për buxhetin, investimet, projektet publike dhe taksat vendore. Në komuna më të mëdha, këto çështje vendosen me referendum lokal ose nga këshilli komunal i zgjedhur. Bëjini në Shqipëri banorët të interesuar dhe të lidhur ngushtë me fatin e vendimeve të tyre.

Ka disa kuriozitete mjaft interesante. Me thënë të drejtën kasha menduar se me reformën e re do hidheshin hapa përpara dhe jo pas. Në komunat më të vogla zvicerane (me më pak se 500 banorë), administrata shpesh përbëhet vetëm nga sekretari komunal dhe një ose dy punonjës të tjerë me kohë të plotë ose të pjesshme. Në disa raste, e gjithë administrata nuk i kalon dy vende pune të plota. Madje, studimet tregojnë se më shumë se gjysma e komunave zvicerane bashkarisht kanë më pak se 1 000 banorë dhe administrata mesatare e një komune ka vetëm rreth 2,4 vende pune me kohë të plotë.
Një tjetër veçori është se shumë funksione politike ushtrohen me kohë të pjesshme. Kryetari i komunës ose anëtarët e këshillit lokal mund të kenë edhe profesione të tjera: mësues, fermerë, avokatë ose sipërmarrës. Në fshatrat alpine, nuk është e pazakontë që kryetari i komunës të vazhdojë punën e tij të zakonshme dhe të merret me administrimin vendor vetëm disa ditë në javë. Kjo strukturë e vogël administrative është e mundur sepse shumë shërbime publike (arsimi i mesëm, spitalet, policia etj.) organizohen në nivel kantoni ose në bashkëpunim midis disa komunave. Në këtë mënyrë, edhe një komunë me 200–300 banorë mund të funksionojë pa një administratë të madhe.

Për shembull, në një komunë me 500–1 000 banorë, miratimi i një shkolle të re, rikonstruksioni i rrugëve ose ndryshimi i nivelit të taksave mund të vendoset drejtpërdrejt nga qytetarët me votim. Me ndryshimet që propozohen në projekt lgjin e ri, në disa bashki do ketë fshatra dhe qëndra akoma të banuara që do ndodhen larg mbi 60 km nga qëndra e bashkisë. A është korekte kjo, në kushtet kur mungojnë infrastrukturat rrugore? E sigurt që këto ndryshime, do ndikojnë negativisht në thellimin e braktisjes së fshatit. Për të krijuar një ide të qartë, po sjell një shëmull: Në një zonë në afërsi të Elbasanit, një rrugë prej 15 kilometra ka ndikuar që popullsia në atë zonë të bjerë vetëm 12 %, ndërsa për të njëjtën gjatësi rruge, në një zonë tjetër, midis Skraparit dhe Korçës tre fshtarat janë braktisur në masën 95 %.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb