Kampionati shqiptar ka hyrë në një fazë të rëndësishme, me gabimet e skuadrave që në një pikë të tillë nuk lejohen. Shumë ekipe në garë për Final Four, por enigmat e elitës do të zgjidhen vetëm në fund. Sfida e radhës mes Partizanit dhe Tiranës premton spektakël dhe emocion,  fitorja në derbi është e domodoshme si për të kuqtë, ashtu edhe për bardheblutë. I mirënjohuri Agim Canaj, në një intervistë për Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, tregoi këndvështrimin e tij.

Dinamo theu një tabu, duke mposhtur Partizanin pas 15 vitesh, mendoni se blutë pas 3 fitoresh radhazi janë realisht në garë për një vend në katërshe?

Padiskutim këto 3 ndeshjet e fundit kanë treguar që Dinamo ka stabilitet. Më vjen keq por besimi i një skuadre që është 18 herë kampione, akoma nuk ka ardhur. Nëse i përmend Final Four, ata tërhiqen dhe thonë ndeshja e radhës. Unë do  të thoja që këto 2 ndeshje që vijnë, janë provë. Shumë të rëndësishme janë këto ndeshje për skuadrën.

Trajneri Dritan Mehmeti e mori Dinamon nga vendi i fundit dhe tani nuk diskutohet më mbijetesa për objektiva të tjerë. A është ky shembulli më i mirë që nganjëherë zgjidhja është brenda klubit?

Dinamo është në fillesat e veta. Duket si një embrion, ose do marrë sipër, ose do ulet poshtë.

Profesor, në krahun tjetër kemi një Partizan që ka marrë vetëm një fitore në kampionat në 12 javë. Cfarë nuk shkon, është thjesht ngërç i momentit sa Shehi të përcjellë filozofinë e vet apo ka dicka tjetër që nuk shkon?

Skuadra akoma nuk po orientohet me vendosjen e Shehit. Shehi luan me sistem 4-3-3. Kjo skuadër mbase ka luajtur me 3-5-2, në momentet e fundit. Ky është një ngërcc i trajnerit që nuk po e zgjidh. Ardhja me vonesë e Mba dhe Skukës, ka bërë që edhe mungesat si Maguette, të ndikojnë dhe të vijë dështimi.

Egnatia duket e sigurt profesor në krye, ndoshta edhe ju bini dakord se tashmë është në Final 4, a mendoni se tre skuadrat e tjera do të jenë sipas renditjes, pra Partizani, Vllaznia dhe Tirana?

Unë nuk i shkëpus as Dinamon me Laccin, as Skënderbeun. Koha ka treguar se një ekip që ka stabilitet për 3-4 ndeshje, atëherë shkëputet, sepse skuadrat e tjera nuk e bëjnë dot diçka të tillë. Egnatia ka stabilitet maksimal, por të frenon formula që po aplikohet për herë të parë në kampionatin shqiptar. Duke qenë që është për herë të parë, i bie që është frenim. Egnatia duhet të ruajë formën dhe lojtarët.

Profesor, Vllaznia nuk mundet prej nëntë ndeshjesh rresht, cfarë ka ndryshuar te kjo skuadër, nuk është se kanë bërë ndonjë merkato ndryshe nga skuadrat e tjera?

Një trajner me eksperiencë hyri në lojë dhe duhet t’i japim meritat kryesore. Vllaznia në lojë dhe mentalitet ka gjetur cilësinë që ka. Vllaznia është treguar edhe cinike, edhe ka bërë lojë ndonjëherë. Psikologjikisht është forcuar shumë, skuadra është përshtatur shumë ndaj kundërshtarit.

Tirana e nisi si favorite kryesore, por po bën një sezon me oshilacione, është formula që e kanë vënë në gjumë apo dicka tjetër, pasi vetëm në dy raste ka bërë dy fitore radhazi?

Një ekip si Tirana do ta  vlerësoja shumë. Tirana ka marrë lojtarë nga më të mirët e kampionatit. Merkato e bllokuar, më pas fakti që ka mundur të shesë e mos të afrojë dot. Për ironi të fatit këto janë gjëra që janë brenda familjes, por largimi i Hasanit është nëj gropë e madhe në sulmin e Tiranës. Edhe pse të tjerët mundohen, Hasani ishte ai që dërgonte topin në rrjetë.

Të premten luhet derbi, a mendoni se është një udhëkryq për Partizanin dhe Tiranën, pra kush fiton merr kah tjetër, apo është thjesht një ndeshje e radhës që nuk ndikon, kuptohet, pa përmendur pjesën e tifozërisë që e ndjejnë në maksimum?

Në Derbi nuk shikohet klasifikimi. Problematika më e madhe e këtyre ndeshjeve është se barazimi frenon. Është ajo shprehja që themi gjithmonë, derbi nuk luhet, por fitohet.  Partizani ka qenë më afër fitoreve këto vite, por Tirana është më e stabilizuar. Partizani ka një rënie totale.

Kë shihni më lart profesor për momentin, Partizanin apo Tiranën, pasi nisur nga loja dhe rezultatet e fundit nuk është se të ngrohin të dyja skuadrat?

Ndonjëherë janë edhe lojtarët në fushë që karikojnë. Partizani është ekipi kampion dhe ka ardhur momenti që të tregojë veten.

Kemi folur shpesh për formulën e kampionatit, por nëse kjo ndasi mes 4 skuadrave të para dhe atyre të fundit do të thellohej më tej, do të ndikonte në fazën e fundit?

Duhet parë. Final Four është një skemë e re, deri në këto momente është frenuese për ekipet që luftojnë për kampionatin. Për mbijetesën është një pikëpyetje e madhe, ndonjëherë në kampionatet e kaluara, ka patur raste kur një ekip që s’ia dashur pikët, mund të jetë faktor.

Tashmë duket sikur zonat janë përcaktuar deri diku, katërshja e parë, zona gri, ku bëjnë pjesë Dinamo, Laci dhe Skënderbeu, si dhe zonën për mbijetesë, Erzeni, Teuta dhe Kukësi. Mendoni se mund të ketë përmbysje dhe cilat nga skuadra mund të ketë rritje dhe rënie?

Kukësi dhe Erzeni duhet të luftojnë  fort për të shpëtuar. Teuta ka një avantazh, ka bërë lojëra të mira, por nuk ka marrë rezultate.  Teuta është skuadër e konsoliduar. Nëse durrsakët do kenë fatin me vete, mendoj se mund të shpëtojë.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: