Kryeqyteti nuk po kalon një moment të mirë, me Partizanin që doli nga Kupa në mënyrë befasuese, ndërsa Tirana e sheh vetën jashtë zonës “final-four”,  të paktën për momentin. Alban Tafaj, ish futbollisti i famshëm i dy ekipeve, në një intervistë për “News24” analizoi problemet e dy klubeve dhe pritshmritë që ka për këtë sezon. Në emisionin “Sport News”, të moderuar nga Trevisa Tufa, Tafaj preku edhe tema të tjera:

E prisje një eliminim të tillë të Partizanit nga Kupa, a do të ketë pasoja në vazhdimësi edhe në kampionat?

Nuk e prisja këtë eliminim, për më tepër nuk është se nuk prodhoi lojë, por nuk dolën te goli. Ndeshjet e Kupës janë të tilla, kush shënon golin i parë mund të kaloj më tej

E dobëson apo e përforcon në kampionat Partizanin dalja nga Kupa? 

Çdo eliminim ka problematikën e vet, nuk pritet mirë nga stafi, nga lojtarët, nuk pritët mirë nga tifozët. Për mua nuk ishte moment i mirë, sepse erdhi në një moment kthese, kishin fituar edhe derbin, kishin moral, për mua ky eliminim nuk i bën mirë, por besoj se ato kanë bërë analizën e duhur për të qenë më rezultatativ për pjesën e mbetur të kampionatit, për të qenë në final-four, pasi aty të gjithë luftojnë për të qenë pjesë

Pse kjo rënie drastike e Partizanit, pse nuk ka efektet që pritej transferimi i Shehit? Si mendoni ky është problemi i këtij ekipi?

Çdo ndryshim stafi ka problematikën e saj, pasi çdo trajner do të sjell filozofinë e vet. Çdo skuadër merr “fytyrën” e trajnerit, mbase kjo kimia nuk ka arritur akoma te Partizani, pra Shehi nuk ka arritur ende të transmetoj atë mentalitet, atë energji, atë filozofi për të bërë më të mirën. Mbase në fillim të sezonit do të ishte më mirë, pasi do ta ndërtonte vetë skuadrën, por që për çdo trajner profesionit nuk ka justifikim për të thënë “këtë ekip gjeta dhe këtë po drejtojë”. Në çdo moment, në çdo kohë, çdo trajner jep maksimumin e tij për të arritur qëllimin dhe objektivin që ka skuadra.

 Nuk po bën më mirë as Tirana, pavarësisht se kaloi më tej në Kupë…

Ky kalim turi ishte shumë pozitiv, pavarësisht se u kualifikua me vështirësi. Problemi më i madh i Tiranës është se pas Evropës shitën lojtarë, bën transferime, por kjo e dobësoi shumë, ndërkohë ekipet e tjera u përforcuan shumë, duke e bërë më të vështirë sezonin për Tiranën. Për momentin nuk po bëjnë mirë pasi edhe lojtarët titullarë nuk janë në maksimum e tyre, nuk po japin maksimumin

Më thuaj të drejtën, e sheh Tiranën në garë për titull këtë sezon?

Tirana duhet të kthejë besimin te vetja dhe te kthehet te rezultatet pozitive, pra të mos i var shpresat në momentin e fundit, kjo është kryesorja dhe t’i marrë ndeshjes hap pas hapi. Ka një punë të vështirë pasi janë forcuar shumë edhe ekipet e tjera, ka ekipe si Dinamo dhe Skënderbeu që vijnë nga kategori më poshtë, por që kanë shfaqur pretendimet e tyre për të qenë në final-four. Ky presion ka ndikuar jo pozitivisht te Tirana, sepse mendohej se e kishte të sigurt prezencën në final-four, por ndodhi e kundërta, kjo e ka tronditur pak Tiranën

A rrezikon Tirana të qëndrojë jashtë zonës “final four”, a do të ishte një dështim nëse nuk futet mes katër ekipeve të para?

Patjetër që do të ishte dështim. Mos pjesëmarrja në katër vendet e para, mes ekipeve më të mira të Shqipërisë, do të ishte një dështim sezonal

Ndryshe nga dy ekipet e kryeqytetit, po kalon një formë fantastike Vllaznia, a beson te ky ekip Alban, a mund të sjell ky ekip titullin në Shkodër pas 23 vitesh?

Me organikën që ka Vllaznia, me atmosferën që krijon tifozeria shkodrane, mendoj se janë në rrugën e duhur. Kanë një qetësi të jashtëzakonshme nga stafi, kjo më pëlqen jashtëzakonisht shumë.

Flasim për Partizanin, për Tiranën, për Vllazninë, por në krye qëndron Egnatia, gjithashtu u kualifikuan në gjysmëfinale të Kupës, është pjekur mjaftueshëm ky ekip për të fituar titullin?

Egnatia javët e fundit ka pasur pak oshilacione, kjo dhe për shkak të distancës që kishte krijuar me rivalët. Është një skuadër me një organikë të jashtëzakonshme, me një trajner të ri, por me ego për ta çuar lart. Është krijuar një entuziazëm në qytet, por e theksoj elementet që ka kjo skuadër është pjesa më e bukur, është me meritë aty ku është

Flasim pak për Kombëtaren. Sa të vështirë do ta kenë Sylvinho të ndërtoj ekipin në fazën sulmuese, të përpilojë listën, duke parë edhe formën shumë të mirë që po kalojnë lojtarë si Rey Manaj, Muçi etj

Ndryshe nga ekipi i “Euro2016”, kjo skuadër ka një mentalitet ndryshe, ka shumë talente në sulm dhe mesfushë, por mos harrojmë rikthehet edhe Kumbulla, një lojtar që ka qenë titullar përpara se të dëmtohej. Normal për Sylvinho do të jetë dhimbje koke, por ai është një trajner që punon non stop, është gjatë gjithë kohës duke punuar, në lëvizje duke parë lojtarët, elementët që do të formojë listën me 23 lojtarë, një numër shumë i reduktuar, normal që dhe kjo do të ketë presionin e vet, por besoj se gjithkush do të meritojë vendin e vet në atë skuadër

Sa do të na shërbejnë miqësoret e marsit?

Çdo trajner kërkon ta testojë skuadrën përpara një evenimenti të madh siç është Evropiani. Këto ndeshje do ta kristalizojnë sepse në kokën e tij dihet struktura, ajo që është baza e kombëtares.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb