Poetja dhe shkrimtarja e talentuar nga Kërçova e Maqedonisë së Veriut, Nurie Emrullai u shpall fituese e çmimit letrar “Kadare” për vitin 2023, mes 27 autorësh të njohur të letrave shqipe; si Grigor Banushi, Leonard Veizi, Suad Arilla dhe Klidi Apostoli. Në një intervistë për Liberale.al, Emrullai tha se vlerësimi që iu bë romanit “Duhet të jetë dashuri” është përtej asaj që e kishte imagjinuar në momentin që vendosi të dërgojë faqet e para të librit. Në rreshtat e kësaj interviste të shkurtër, lexuesi shqiptar, do ta kuptojë më mirë se pse atij i shërben letërsia e mirë dhe pse njeriu, në fund të fundit, e ka kaq të nevojshme për të shpëtuar veten përmes artit.

 Bujën më të madhe të paktën deri më tani e keni përvetësuar në poezi, por një nga fitoret më domethënëse në karrierën tuaj të re është shpallja fitues në edicionin e nëntë të Çmimit “Kadare”, për vitin 2023. Si u ndjetë, cilat qenë përshtypjet apo ndjesitë e para, pasi mësuat se ishit ju fituese e këtij çmimi kaq prestigjioz në letrat shqipe?

Vlerësimi që iu bë romanit “Duhet të jetë dashuri”, është përtej asaj që e kam imagjinuar momentin që i dërgova faqet e para të librit, ndonëse njeriu gjithnjë jeton me një fije shprese dhe thotë: “Po, çfarë nëse…?”. Sigurisht, përveç rëndësisë që ka ky çmim që përfaqëson emrin më të njohur të letërsisë shqipe, shkrimtarin Kadare, duke marrë parasysh jurinë që më ka vlerësuar, përveç gëzimit që mund të të japin njoftimet e atilla, ndjeva përgjegjësi, nga vetë fakti se vendit tonë (këtu po përfshij të gjithë vendet shqipfolëse), i duhet letërsia e mirë, duhet të pranohet e të thuhet më bindshëm se njeriu do ta shpëtojë veten vetëm përmes artit.

A ekziston një ditë, ngjarje apo datë kur ju morët lapsin në duar dhe filluat të shkruani poezi dhe prozë?

Gjithnjë kur më shkon në mendje dita që kam rifilluar të shkruaj, pas një pushimi të gjatë, kur me ngulm ia pohoja vetes se unë nuk kisha çfarë të them, më kujtohet një periudhë në jetën time, e disa viteve më parë kur pata nevojë “të shpëtohem” nga vetë poezia ime. Shpëtim në kuptimin e përballjes me jetën, me sfidat dhe me vetë rritjen. Por, e çuditshme është që unë i mbaj mend poezitë të cilave u takojnë ditë të caktuara, që tashmë i përfytyroj veç përmes poezive. Ndonëse prozën e kam filluar paralelisht me poezinë, pra është mjaft periudhë e gjatë që unë po e shkruaja, aq sa shpesh me dukej vetja si Arakna, sa herë merrja që ta vazhdoj, endesha nëpër faqet që tashmë i kisha shkruar dhe gjithnjë përfundoja pa krijuar asgjë të re.

 Ka shumë poetë që tregojnë se poezia në ditët e sotme e ka humbur lexuesin. Ju, si e përjetoni këtë fakt?

Po, po është e vërtet kjo që thuhet. Por, a nuk është një propagandë që edhe lexuesit të mirëfilltë t’ia japin ndjenjën e dyshimit? Çdo shoqëri i ka këto sfida, a lexohet apo jo, por sigurisht që lexues ka. Shoqërisë dhe letërsisë i duhen pak lexues, por lexues të nivelit të lartë, që të mund ta zgjerojnë hapësirën e mendimit dhe kultivimit të artit në përgjithësi.

  Ajo për çfarë dua t’ju pyes, me dëshirën për të kuptuar më mirë, është ideja se çfarë kuptimi ka të jesh një poete, apo e thënë më thjeshtë; si ndjeheni ju sot duke e qenë e tillë?

Për mua ka qenë shumë e vështirë që fillimisht unë vetë ta pranoj këtë, të quhem poete. Poezia mban në vetë të shenjtën, si çdo gjë me të cilën rrethohemi apo na jep jeta. Gjërat këtu, në jetë, ekzistojnë për t’i parë ne dhe për t’i admiruar, asgjë nuk është e zakonshme dhe e thjeshtë që ne shpesh e marrim si të mirëqenë, por kudo qëndron mahnitja. Ndaj poeti, është përçues i së shenjtës, që i lejohet të shikojë më pastër a më thellë, nga ç’mund të shihet me sy të lirë.

  Keni përjetuar një “metamorfozë”, duke kaluar nga vargjet në paragrafë, mos vallë ky kapërcim i ri do të jetë një zhvillim etapor i radhës për ju?

Metamorfoza është e pashmangshme në përditshmërinë tonë, të gjithë herë pas here jemi pak “Kafkë” në vete në kuptimin e metamorfozës së jashtme, duke ndikuar së brendshmi, ndaj kjo shpërfaqet dhe në krijimtari. Por, ai që është lexues i poezisë sime, pra e njeh këndin prej të cilit i vështroj gjërat, do ta ketë të lehtë për të bërë dallimin dhe ngjashmëritë midis poezisë dhe prozës. Por, unë mbetem po në formën e parë, pra dua të them që dhe prozës i janë mveshur elementet poetike.

 Ju ku ndjeheni më rehat, nëse vërtetë do kishte kuptim për ju kjo pyetje: në poezi apo në prozë?

Siç e përemenda më lart, unë arrij të bëj gërshetimin e prozës me poezinë. Por, meqë poezinë e kam më të përditshme, e kam vend ku i kthehem më shpesh por, duke qenë se rruga ime drejt prozës sapo është hapur, them se mbetet për t’u parë…

 A të ndodh të bllokohesh, të mos e gjesh dot atë që kërkon?

Këtë gjë as nuk rrekem ta mendoj. Po, ka ditë kur nuk komunikoj me poezitë e mia, por, kjo gjë nuk më shqetëson, sepse jam e bindur që fjala gjithnjë e gjen rrugën brenda meje dhe është koha ajo që e nxjerrë në dritë. Nuk jam e bërë në formën që të kem kohë të veçantë kur të shkruaj, apo vend të caktuar, ende jo. Por, poezia më befason gjithmonë se si më gjen dhe si më bën ta shoh botën.

 Mund të më thoni se kush vjen më para tek ju, personazhi apo ngjarja?

Nëse bëjmë një krahasim mes ngjarjeve dhe personazheve, tek unë më parë vjen ngjarja. Ajo që më fascinon janë vërtetësia e një ngjarje në thjeshtësinë e saj më të zakontë, prej kësaj mund të lindin dhe personazhet të cilat, do të mbahen mend përmes asaj që sjellin. Lexuesi i poezive të mia takon personazhe të cilat janë shumë afër përditshmërisë, ngjarje ë cilat ndodhin pa asnjë forcë, përveç asaj të ligjit të natyrës.

Artisti duhet të mbetet i sinqertë.

/Liberale.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: