ANGLI

Një operacion i zhvilluar në Angli, i cili u mbajt në sekret të plotë nga autoritetet britanike dhe ato shqiptare vuri në pranga vrasësin shqiptar, Gentian Doda me 6 maj 2019. Tabloidi britanik “Daily Mail”, i ka kushtuar një artikull të plotë Dodës, i cili sipas saj ia kishte dalë të hynte dy herë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

“Edhe pse konsiderohej dhe cilësohej si një nga më të dyshuarit, por edhe më të kërkuarit nga polica britanike, ai qëndroi në këtë vend për 13 vite”, shkruan “Daily Mail”, raporton “BalkanWeb”. Ajo shton se herën e parë, Gentian Doda u ndalua vetëm falë punës së autoriteteve amerikane, të cilat kontrolluan shenjat e gishtërinjve, pasi udhëtoi  drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një pasaportë të falsifikuar.

Ai u depërtua dhe iu konfiskua pasaporta e tij. Por katër vjet më vonë, pasi kishte paguar ryshfet për gjykatësin në atdheun e tij për ta liruar, ai ishte në gjendje të kthehej përsëri në Mbretërinë e Bashkuar dhe qëndroi edhe për dy vite të tjera. Emri i Gentian Dodës, u publikua në disa përgjime ku ishte i përfshirë gjyqtari Shkëlqim Miri, i cili ishte paguar nga 41-vjeçari për ta liruar nga burgu përmes dy sekserëve, ku njëri prej tyre rezultonte si kushëriri i gjyqtarit Miri.

Ish-gjyqtari Miri kundrejt shumës 30 mijë euro, arriti të ndryshonte veprën penale nga vrasje në plagosje për Gentian Dodën, duke bërë që Doda të fitonte lirinë.

Media britanike “Daily Mail”, raporton mes rreshtave se Gentian Doda, i cili sot u ekstradua drejt Tiranës, është pjesë e bandës së rrezikshme “Kola”, ndërsa u bë një nga të arratisurit më të kërkuar të Evropës pasi vrau dy persona në Burrel, 22 vite më parë, pikërisht në vitin 1997, i cilësuar edhe si viti i trazirave  në Shqipëri.

Doda
Doda

Së bashku me katër bashkëpunëtorë, 18-vjeçari i atëhershëm i zuri pritë një udhëheqësi të bandës rivale dhe hapi zjarr. Rivali i tij Asllan Gjoka, si dhe një kalimtar u vranë. Pas kësaj Doda iku në Angli dhe kërkoi azil duke pretenduar se ai ishte një refugjat me emrin Azem Shaqiri, babai dhe vëllai i të cilit ishin vrarë si pjesë e UÇK në Kosovë.

Gentian Doda u kap më në fund në vitin 2011 në Los Angelos dhe u ekstradua në Shqipëri një vit më pas. Por pas katër vitesh në burg, ai kundrejt shumës prej 30.000 euro fitoi lirinë duke i dhënë ryshfet gjyqtarit Shkëlqim Miri. Pas lirimit të tij, Gentian Doda shkoi serish në Mbretërinë e Bashkuar. Por në vitin 2017, policia shqiptare lëshoi një urdhër tjetër arresti për të  në lidhje me ryshfetin e dhënë ndaj gjyqtarit Shkëlqim Miri. Ai tashmë është në dorë të drejtësisë shqiptare.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb