Gentian Doda, njeriu që korruptoi gjyqësorin dhe i shpëtoi dënimit me 20 vite burg për vrasje, është ekstraduar sot nga Anglia. Falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Manchester, pak kohë më parë u bë kapja dhe arrestimi në Mbretërinë e Bashkuar i Dodës, 41 vjeç, lindur në Tiranë, i shumëkërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Doda ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi: Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal nr. 416, datë 10.11.2017, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të drejtësisë”.

Gjithashtu, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin penal nr. 1249, datë 09.11.2017 vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Gentian Doda në bashkëpunim me shtetas të tjerë i ka dhënë një shumë prej 30.000 eurosh gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë Shkëlqim Mirit, me qëllim lehtësimin e pozitave të tij dhe lirimin nga burgu për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, e cila me vendimin penal nr. 41, datë 26.01.2001 e kishte dënuar këtë shtetas me 20 vjet burgim për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.

Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin penal nr. 896, datë 07.06.2017 ka vendosur lënien në fuqi të vendimin penal nr. 94, datë 20.09.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, duke favorizuar pozitën e shtetasit G. D. dhe lirimin e tij nga burgu. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi i tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Akuza per vrasje dhe per ryshfet
Krahas procesit në gjykatën e Lartë, e cila do të vendosë nëse do ta rikthejë sërish në burg Gentian Dodën, për vrasjen e dyfishtë të kryer në qytetin e Burrelit në 1997, i shumëkërkuari ka një tjetër hesap të pambyllur me Krimet e Rënda, ku po gjykohet për akuzën e korrupsionit. Ai dyshohet se pagoi ryshfet shumën prej 20 mijë eurosh gjyqtarit të Apelit, Shkëlqim Miri, i cili i lehtësoi akuzën e në këtë mënyrë, Doda rifitoi lirinë.

Gentian Doda u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2012, pasi u arrestua atje për llogari të autoriteteve shqiptare. Ai akuzohej për vrasjen e Gazmir Dedjas dhe Asllan Gjokës, në tetor të 1997. Pas një kalvari të gjatë përballjesh gjyqësore, që nga 2001, i shumëpërfoluri i botës së krimit, u dënua me 20 vite burgim. Teksa ndodhej në burgim e Fushë Krujës, ai kërkoi rishikimin e vendimit me argumentin se ishte dënuar në mungesë.

Nga gjykata e Lartë dosja mbërriti në shkallën e Parë në Mat. Një treshe gjykuese vendosi të lehtësojë pozitën e të dënuarit, duke bërë rikualifikim të veprës penale, nga vrasje në plagosje të rëndë me dashje. Hetimet e nisura në 2017, nxorën në dritë faktin se gjyqtari Shkëlqim Miri kishte marrë ryshfet, për të vendosur në favor të Dodës, i cili u shpall fajtor për akuzën e plagosjes dhe dënimi iu reduktua ndjeshëm. Pas verdiktit të Apelit, Gentian Doda rifitoi lirinë. Ai mundi të arratisej jashtë vendit, ndërsa në Shqipëri u arrestua gjyqtari dhe të afërm e miq të të dënuarit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: