Irani i ka dërguar një paralajmërim të fortë Bullgarisë, duke i kërkuar të mos lejojë përdorimin e territorit të saj nga Shtetet e Bashkuara për operacione ushtarake kundër Teheranit. Reagimi vjen pasi Sofja po shqyrton vendosjen e deri në tetë avionëve amerikanë të furnizimit me karburant në bazën ajrore Bezmer.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, deklaroi se çdo vend që lehtëson sulmet amerikane ndaj Iranit do të konsiderohet bashkëpunëtor në “agresion dhe krime lufte”. “Bullgaria nuk duhet të bëhet bashkëpunëtore e agresorëve dhe shkelësve të ligjit”, u shpreh Baghai, sipas mediave shtetërore iraniane.

Paralajmërimi iranian ka nxitur debat në Bullgari. Deputetë të koalicionit konservator “Bullgaria Demokratike” kanë deklaruar se, nëse avionët amerikanë KC-135 vendosen në territorin bullgar, atëherë hapësira ajrore e vendit duhet të mbrohet nga sistemet greke të mbrojtjes ajrore Patriot. Ata kujtojnë se, me një vendim të marrë në mars nga autoritetet greke, një bateri Patriot dhe një palë avionësh F-16 u vendosën në Greqinë veriore për të kontribuar në mbrojtjen e hapësirës ajrore bullgare. Bashkëkryetari i partisë “Po, Bullgaria”, Ivailo Mirchev, deklaroi se përpara se parlamenti të miratojë propozimin për vendosjen e avionëve amerikanë në bazën ajrore Bezmer, qeveria duhet të informojë deputetët mbi vlerësimin e rrezikut dhe arsyet strategjike të këtij vendimi.

“Shtetet e Bashkuara janë një partner strategjik jashtëzakonisht i rëndësishëm për Bullgarinë, por në lidhje me Iranin dhe Lindjen e Mesme duhet të ndjekim qëndrimin e përbashkët evropian dhe jo një qasje të izoluar”, deklaroi Mirchev. Ai shtoi se, në rast të vendosjes së avionëve amerikanë, Bullgaria duhet t’i kërkojë Greqisë dislokimin e një sistemi Patriot për të garantuar mbrojtjen e territorit bullgar nga çdo kërcënim i mundshëm. Nga ana tjetër, bashkëkryetari tjetër i “Po, Bullgaria”, Bozhidar Bozanov, tha se deputetëve u mungojnë informacionet mbi analizën e rrezikut, planet e mbrojtjes dhe të dhënat që partnerët amerikanë kanë ndarë lidhur me situatën e sigurisë. Diskutimet zhvillohen në një moment kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, duke rritur shqetësimet se edhe vendet e NATO-s në rajon mund të përfshihen indirekt në krizën e Lindjes së Mesme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: