Tensionet në Gjirin Persik janë rritur sërish pasi forcat detare iraniane ndaluan katër anije në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa ato po përpiqeshin të hynin në rajon pa koordinim me autoritetet në Teheran.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, marina iraniane fillimisht u dërgoi paralajmërime anijeve, por ekuipazhet nuk iu bindën udhëzimeve të dhëna nga autoritetet iraniane.
Një burim ushtarak i cituar nga media iraniane bëri të ditur se pas mosrespektimit të urdhrave, forcat iraniane qëlluan me të shtëna paralajmëruese. Pas incidentit, anijet ndryshuan kurs dhe u tërhoqën nga zona.
Deri tani nuk janë bërë publike detaje mbi identitetin e anijeve apo flamujt që ato mbanin.
Ngjarja vjen në një moment tepër të ndjeshëm për rajonin, ndërsa SHBA dhe Irani vijojnë negociatat për një marrëveshje të mundshme që synon uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Në të njëjtën kohë, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit. Uashingtoni shtoi në listën e zezë të Shtetasve të Caktuar Posaçërisht një strukturë të krijuar së fundmi nga Teherani, të quajtur Persian Gulf Strait Authority.
Ky institucion u krijua për të menaxhuar kërkesat e anijeve që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më strategjike në botë për transportin e naftës dhe gazit natyror.
