Të hënën, iranianë nga e gjithë Suedia zhvilluan një demonstratë në Stokholm për të kërkuar llogaridhënie për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit, veçanërisht për masakrën ndaj të burgosurve politikë në 1988-ën. Pas fjalimeve të drejtpërdrejta dhe online nga personalitete të njohura lokale e ndërkombëtare, turma zhvilloi një marshim në qendër të Stokholmit. Udhëheqësit e regjimit iranian, sidomos Lideri Suprem Ali Khamenei dhe Presidenti Ebrahim Raisi, u përmendën specifikisht si autorë të gjenocidit të 1988-ës.

Pjesëmarrësit bënë thirrje për një hetim të pavarur nga ana e OKB-së lidhur me këtë ngjarje dhe e nxitën Suedinë që të luajë një rol kryesor në organizimin e këtij hetimi. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e opozitës Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), foli përpara turmës përmes një lidhjeje online.

“Ali Khamenei dhe bashkëpunëtorët e tij varën me mijëra të burgosur politikë në 1988-ën për ta ruajtur pushtetin e tyre. Me po të njëjtin brutalitet mizor, ata po vrasin qindra mijëra njerëz të pambrojtur sot në ferrin e koronavirusit, sërish për të mbrojtur regjimin e tyre,” pohoi zonja Rajavi.
“Prandaj ne e nxisim komunitetin ndërkombëtar që ta njohë masakrën ndaj 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën si gjenocid dhe krim kundër njerëzimit. Është e domosdoshme, sidomos për qeveritë europiane, që ta ndryshojnë politikën e mos-reagimit ndaj masakrës më të madhe ndaj të burgosurve politikë që nga Lufta e Dytë Botërore. Siç është deklaruar së fundmi në një letër të një grupi anëtarësh të Parlamentit Europian drejtuar kreut të politikës së jashtme të BE-së, paqësimi i regjimit iranian “bie në kontradiktë me angazhimet europiane për të mbrojtur dhe luftuar për të drejtat e njeriut.”
Në këtë demonstratë morën pjesë fizikisht ose online parlamentarë suedezë e skandinavë si dhe personalitete amerikane e europiane.

Patrick J. Kennedy, kongresmen amerikan (1995 –2011), dhe Znj. Ingrid Betancourt, ish-senatore dhe kandidate presidenciale nga Kolumbia, e cila dikur ka qenë e marrë peng, folën virtualisht në këtë tubim.

“Sot familjet e viktimave të 1988-ës kërcënohen vazhdimisht në Iran. Ekspertët e OKB-së për të drejtat njerëzore kanë shprehur gjithashtu alarm lidhur me shkatërrimin e varreve masive. Mullahët nuk duan të lënë asnjë provë për krimet për të cilat ne po kërkojmë drejtësi. Dhe sot, posti më i lartë i pushtetit në Iran është zënë nga një autor i këtyre krimeve,” tha ish-kandidatja presidenciale nga Kolumbia.
“Pas Holokaustit thamë se nuk do t’i shihnim më kurrë këto krime kundër njerëzimit, por prapë i kemi parë. Arsyeja është se, si komunitet ndërkombëtar, ne nuk jemi ngritur për t’i dënuar këto krime,” pohoi Patrick Kennedy. Përfaqësues të komuniteteve iraniane nga vende të tjera skandinave morën pjesë gjithashtu në këtë demonstratë.

Kjo demonstratë u zhvillua në të njëjtën kohë me gjykimin e Hamid Noury, njërit nga autorët e masakrës së 1988-ës, aktualisht i burgosur në Stokholm. Seancat gjyqësore do të vazhdojnë për disa muaj, dhe një numër i madh ish të burgosurish politikë iranianë do të dëshmojnë kundër regjimit në gjyq.
Kjo demonstratë përkujtoi 33-vjetorin e masakrës së 1988-ës, në të cilën 30,000 të burgosur politikë u vranë me urdhër të një fetva-je nga Khomeini. Mbi 90 përqind e viktimave ishin anëtarë e mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Çfarë ka ndodhur në 1988-ën:
Në 1988-ën, Ruhollah Khomeini, lideri suprem i atëhershëm i regjimit iranian, nxori një fetva ku jepej urdhër për ekzekutimin e të gjithë të burgosurve muxhahedinë, të cilët refuzonin të pendoheshin. Mbi 30,000 të burgosur politikë, shumica dërrmuese e të cilëve ishin anëtarë të MEK, u masakruan brenda pak muajsh. Viktimat u varrosën në varre masive të fshehta.
Ebrahim Raisi, presidenti aktual i regjimit iranian, ishte njëri nga katër anëtarët e “Komisionit të Vdekjes” në Teheran. Ai ka dërguar për varje mijëra muxhahedinë në 1988-ën.
Nuk është bërë kurrë një hetim i pavarur nga OKB mbi këtë masakër. Sekretari i Përgjithshëm i Amnesty International tha në një deklaratë më 19 qershor 2021: “Fakti që Ebrahim Raisi është ngritur në postin e presidentit në vend që të hetohet për krime kundër njerëzimit është një kujtesë e zymtë që pandëshkueshmëria ka pushtet absolut në Iran.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: