NGA VALENTINA MADANI

TIRANE- Disa prej ish-deputetëve të PD-së bëjnë përgjegjës lidershipin e partisë për humbjen e thellë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Sipas tyre, PD-së i duhet një analizë e thellë e humbjes përpara se të shkohet në shkarkime, duke paralajmëruar se, nëse mungon kjo analizë, PD-ja nuk do të ringrihet. Mark Marku dhe Fatos Hoxha flasin për shkaqet që çuan në humbjen e PD-së në zgjedhjet lokale. Sipas Mark Markut, nuk ishin të mjaftueshme dy vite kohë për të rifituar besimin e qytetarëve, të cilët e kaluan PD-në në opozitë. Por për Fatos Hoxhën ky rezultat vjen për shkak se nuk është bërë analiza e humbjes në 2013-ën.

“Dy vjet nuk janë një kohë shumë e madhe për të rifituar besimin. Normalisht e ka të vështirë derisa të rifitojë besimin e qytetarëve”, – shprehet z.Marku. Kurse ish-deputeti tjetër, Fatos Hoxha, shikon të njëjtën ngjashmëri me zgjedhjet e 2013-ës, që sipas tij, PD-ja asnjëherë nuk e pranoi humbjen.

“Janë ato të 2013-ës që ne kurrë nuk i pranuam si parti, iu shmangëm, i kamufluam dhe si përfundim, ne i kishim humbur zgjedhjet e 2013-ës se na i kishin vjedhur zgjedhjet dhe jo për arsyet për të cilat ne realisht duhej të reflektonim”, – shprehet z.Hoxha. Por, Mark Marku mendon se në fakt shkaku kryesor i humbjes së zgjedhjeve lidhet me presionet direkte të kryeministrit në fushatën elektorale, por pa lënë mënjanë fenomenin e shitjes dhe të blerjes së votës. Fatos Hoxha nuk e mohon këtë fenomen negativ ndër vite, por thotë se kjo nuk është arsye për të justifikuar humbjen.

“Në këto zgjedhje problem kryesor ka qenë presioni që kryeministri ka bërë në elektorat, duke i dhënë një mesazh të qartë elektoratit që, nëse ju votoni kandidatët e djathtë, nuk do merrni fonde”, – deklaroi z.Marku. Nga ana e tij, Fatos Hoxha nuk e shikon shitjen e votës si shkakun kryesor të humbjes së 21 qershorit. “Nuk mund të them që rezultati historik humbës të jetë shitja apo shitblerja e votës”, – deklaroi z.Fatos Hoxha. Por ishte një alternativë PD në këto zgjedhje; Mark Marku dhe Fatos Hoxha mendojnë njësoj.

“Fushatë e gabuar e PDsë! Nuk kishte arsye për të mbivendosur dy fushatat, të bësh një fushatë për qeverisjen qendrore në një fushatë vendore. PD-ja duhej të jepte një alternativë për pushtetin lokal”, – theksoi Mark Marku. Për Fatos Hoxhën, PD-ja u bë e pabesueshme në popull ndaj dhe humbi.

“Kryetari i PD-së i paraqiti elektoratit dy oferta, ato ishin kryesore në këto zgjedhje. Së pari, atë për dekriminalizimin e politikës, por populli nuk e besoi ofertuesin, atë që bëri ofertën. Qeveria në mandatin e dytë të PD-së ishte vënë në kthetrat e oligarkëve dhe nuk mund të dalësh sot me këtë tezë”, – theksoi ish-deputeti Fatos Hoxha.

Ai shkon edhe më tej kur thotë se, përveç analizës që duhet bërë për humbjen, lideri i PDsë duhet të çlirohet nga pengmarrësit, për të cilët nuk foli me emra, por që sipas tij dihen. “Të thuash ‘hajde të hapim dyert’ dhe të të ndjekin nga mbrapa piratët dhe pengmarrësit e kësaj force, është e pamundur. Ju i dini, nëse nuk i dini pyesni se jua tregojnë. Kush janë piratët? Ata që kanë marrë peng kryetarin”, – deklaroi z.Hoxha. Ai u shpreh se PD-së i duhet një analizë e thellë e humbjes përpara se të shkohet në shkarkime. Z.Hoxha paralajmëroi se, nëse nuk ka një analizë të thellë të shkaqeve të humbjes, PD-ja nuk do të ringrihet.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb