TIRANË

Ish-deputetja e LSI-së Floida Kërpaçi e cilëson situatën që po kalon vendi të jashtëzakonshme, teksa thotë se shteti nuk funksionon dhe është i papërgjegjshëm.

Sipas saj, duhet të ketë një mbledhje urgjente dhe një rishikim të buxhetit.

“Është një situatë e jashtëzakonshme jo vetëm në veri. Edhe në Fier dhe në Vlorë është një situatë që kërkon vëmendje por shikojmë një qeveri që jo vetëm është e paaftë por në situata të vështira prodhon krizë. Të njëjtën gjë me tërmetin, me pandeminë tani dhe në krizë. Shqipëria nën ujë, ministrat në Dubai. Jemi përballë një situate ku shteti nuk funksionon dhe është i papërgjegjshëm. Duhet një mbledhje për rishikimin e buxhetit, për të parë mënyrat për të gjetur fondet për familjet që jo vetëm kanë humbur shtëpitë por dhe prodhimet e tyre”, tha ajo në News24.

Për Kërpaçin qeveria është inekzistente. “Nuk është prezentë aty ku e kërkojnë qytetarët dhe sot nuk ka një bilanc. Çfarë po ndodh me familjet në çadra? A janë ato mes 4 rrugëve?
Duhet një mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë për të parë një rishikim të buxhetit të shtetit. Me një procedurë të kollajshme mund të anulohen koncesionet dhe ky fond t’i dedikohet familjeve që sot janë mes katër rrugëve.
Kemi bilancin e pandemisë, me një kosto të jashtëzakonshme për familjet shqiptare, koston e tërmetit ku mijëra familje kanë mbetur pa banesa. Dhe në gjithë këtë situatë ajo që ndodh që qytetarët janë të harruar, të braktisur dhe nuk shikohet asnjë zgjidhje konkrete, reale që qytetarët ta ndiejnë dorën e shtetit, jo dora t’i jepet veç oligarkëve. Shifrat e raporteve tregojnë që intelektualët, të rinjtë, të rejat çdo ditë po e braktisin vendin tonë. Kanë rritur papunësinë në Shqipërinë, kanë ulur pagesat dhe kanë rritur taksat”, tha ajo.

Sa i përket pandemisë, ish-deputetja e LSI theksoi se në tërësi është një situatë gobale për pandeminë, por në raport me shtetin si ka reaguar nuk jemi njësoj me vendet e tjera. Kërpaçi tha se mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur vendet e punës.

Ajo u ndal dhe tek fushata dhe zgjedhjet e 25 prilit, për të cilat tha se opozita e ka të qartë taktikën e saj elektorale dhe synimet në raport me vendin dhe qytetarët.

“Fushata është intensive, shikojmë një nevojshmëri shumë të madhe nga qytetarët shqiptarë për të votuar duke e parë 25 prillin si nevojë për të shprehur mendimin e tyre, por dhe për të ndëshkuar një qeveri që guxoi të ishte përballë shqiptarëve për të mbrojtur 5 oligarkë.
Opozita e ka shumë të qartë taktikën e saj elektorale. Ne do të shkojmë në zgjedhje një koalicion që ka qenë që ditën e parë që ka dalë në opozitë shumë i bashkuar, i lidhur në kauza. LSI do të ketë logon e saj në zgjedhje. Do të shkojmë në zgjedhje me synimin e qartë në raport me vendin dhe qytetarët”, deklaroi Kërpaçi.

Ajo foli dhe për prurjet apo largimet në LSI, duke iu referuar ish-ministrit Nasip Naço.
“Në LSI ka shumë afrime. Çdo ditë takojmë të rinj e të reja, profesionsitë. Mendoj që ka ardhur një moment në Shqipëri që të ofrojmë një mentalitet të ri, ku profesionistë që duan të kontribuojnë duhet të përqafohen në politikë. LSI ka shumë të rinj e të reja, profesionistë që janë afruar, kanë përqafuar mesazhin dhe qëllimin që ka LSI-ja. Çdo njeri tjetër që shikon interesat personalë mbi ata kombëtarë nuk kam asnjë koment.
Çdo njeri që shikon interesat e tij personale, mban përgjegjësi personale. Në raport me qytetarët shqiptarët LSI vazhdon të ketë interesin e saj primar, të përfaqësojë të rinjtë e të rejat, qytetarët shqiptarë që çdo ditë të punojë me përulësi”, deklaroi Kërpaçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb