NGA: KLODIANA LALA*
Rasti i Arben Kicjas, ish-dëshmitarit të mbrojtur në procesin gjyqësor ndaj ish-kreut të “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare është bërë tashmë objekt verifikimi edhe nga Avokati i Popullit. Pas denoncimit që bëri “Gazeta Shqiptare”, çka solli më pas edhe reagimin e opozitës, për braktisjen e dëshmitarit të mbrojtur, Arben Kicja ka trokitur edhe në dyert e institucionit të Avokatit të Popullit. Mbi bazën e ankesës së tij, por marrë shkas edhe nga denoncimet e bërë nga “GSH”, ky institucion ka nisur një hetim të mirëfilltë për të gjithë kalvarin e gjatë të përplasjes së familjes Kicja me institucionet e drejtësisë, prej momentit kur u nxorën nga sistemi i mbrojtjes e tashmë që janë në kërkim të “identitetit” të tyre të humbur.

Burime për “GSH” thanë se institucioni i Avokatit të Popullit pritet t’u kërkojë informacion institucioneve, si Ministrisë së Brendshme apo prokurorisë, për rrethanat dhe arsyet për të cilat u nxorën pjesëtarët e familjes Kicja nga mbrojtja. Gjithashtu, informacion do të kërkohet edhe për faktin përse dy fëmijët e kësaj familjeje nuk janë regjistruar në shkollë, gjë që është denoncuar nga prindërit e tyre, si dhe është vërtetuar se ka pasur edhe korrespodencë mes institucioneve përgjegjëse, por problemi nuk ka gjetur zgjidhjen. Pasi të ketë në duar të gjithë informacionin e marrë nga institucionet, komisioneri i caktuar për hetimin e rastit në fjalë, do të thërrasë bashkëshortët Kicja për të dëgjuar edhe pretendimet e tyre dhe në varësi të rezultateve, do të bëjë dhe rekomandimet përkatëse sipas ligjit.

HEQJA NGA MBROJTJA
Në gusht të 2015, Arben Kicja dhe familja e tij denoncoi në “GSH” se ishin nxjerrë pa asnjë shkak nga sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve dhe ishin braktisur nga shteti, në një kohë që ndiheshin të rrezikuar për jetën, pasi kishte dëshmuar ndaj kreut të Bandës së Lushnjës, Aldo Bare. Ministria e Brendshme reagoi fill më pas duke deklaruar se Arben Kicja ishte përjashtuar nga mbrojtja e dëshmitarëve të drejtësisë, pasi kishte shkelur në mënyrë të përsëritur marrëveshjen. Kicja, tashmë pa status të mbrojturi, iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme me shpresën për të gjetur zgjidhje, për të rihyrë sërish në sistem, por nuk ia arriti qëllimit. Por, kalvari i përballjes së familjes në fjalë me institucionet nuk u mbyll këtu. Arben Kicja kërkoi sërish ndihmën e institucioneve që t’i kthejnë identitetin, me qëllim që fëmijët e tij të nisin shkollën.

Arben Kicja shpjegoi se kur hyri në sistemin e mbrojtjes ai, gruaja dhe fëmijët morën identitete të reja. Me identitet e ndryshuara fëmijët ndoqën shkollën në vendin x, ku qëndruan. Në momentin kur u nxorën nga programi i mbrojtjes së dëshmitarëve, të gjithëve pjesëtarëve të familjes u janë marrë dokumentet me identitetin e ri që kishin marrë për shkak të statusit që gëzonin, po ndërkohë nuk u janë kthyer dokumentet e vjetra me identitetin e vërtetë të tyre. Në këto kushte, dy fëmijët e familjes Kicja kanë mbetur pa shkollë, pasi diplomat që kanë marrë në shtetin x ku qëndruan “të fshehur”, rezultojnë të jenë me identitetin e ndryshuar, që ata që morën në momentin që u futën në programin e mbrojtjes, identitet që nuk figuron në institucionet shqiptare.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: