I riu i akuzuar për vrasjen e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila ka pranuar në procesin e apelit se ishte ai që e vrau vajzën, duke e hedhur nga ballkoni i banesës në Piacenza më 25 tetor 2024.

17-vjeçari, i cili në kohën e ngjarjes ishte 15 vjeç dhe ishte dënuar me 17 vite burg nga Gjykata për të Miturit, ka ndryshuar qëndrim gjatë seancës së apelit dhe ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e Aurorës.

Përmes një deklarate spontane nga burgu i të miturve në Catanzaro, i riu ka kërkuar falje për veprimin dhe për faktin që kishte vonuar pranimin e përgjegjësisë.

“Me rrëfimin e tij mbyllet një rreth. Shpresojmë që Gjykata të konfirmojë vendimin e shkallës së parë, që ka përcaktuar një dënim të drejtë”, tha avokati Emilio Malaspina, i cili përfaqëson nënën e viktimës, Morena Corbellini. Seanca e radhës është shtyrë për më 10 shtator, kur pas diskutimeve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe mbrojtjes pritet të merret vendimi përfundimtar.

Gjykata ka kërkuar gjithashtu një raport mbi sjelljen e të riut gjatë vuajtjes së dënimit, pasi ndaj tij janë raportuar edhe denoncime për episode të tjera.

Si ndodhi ngjarja tragjike

Sipas hetimeve, 15-vjeçari e kishte shtyrë Aurorën nga ballkoni dhe, pasi vajza ishte kapur me duar në përpjekje për të shpëtuar, ai e kishte goditur me gjunjë duke e detyruar të binte.

Provat e mbledhura nga autoritetet, të cilat në vendimin e shkallës së parë u cilësuan si “të pakundërshtueshme”, përfshinin dëshmi të personave që kishin parë skenën dhe kishin dëgjuar britmat e 13-vjeçares.

Hetimi zbuloi gjithashtu se Aurora kishte tentuar të ndërpriste marrëdhënien me të riun në javët para vdekjes së saj, por ai kishte vazhduar ta ndiqte dhe ta shqetësonte.

Sipas akuzës, në një mesazh ai kishte shkruar: “Plani im i hakmarrjes fillon tani, të mërkurën më 9 tetor në orën 02:50.”

E shqetësuar nga situata, Aurora kishte kërkuar këshilla edhe përmes ChatGPT, ku kishte pyetur: “Sipas teje, a duhet ta lë?”. Këto biseda, të përfshira në dosjen hetimore, u konsideruan nga gjykata si elemente që mbështesnin akuzën për përndjekje.

Gjykata vlerësoi se vajza kishte shprehur sinqerisht frikën dhe pasigurinë e saj në komunikimet me chatbot-in, ndërsa përmbajtja përputhej edhe me rrëfimet që ajo u kishte bërë shoqeve, familjarëve dhe edukatores së shërbimeve sociale.

Sipas vendimit të shkallës së parë, një ditë para ngjarjes, i riu i kishte thënë një personi tjetër se kishte ndërmend të vriste Aurorën. Hetuesit pretendojnë se ai kishte marrë me vete edhe një kaçavidë, e cila më pas ishte sekuestruar. Në mesazhet për takimin e fundit me vajzën, ai kishte shkruar: “Nesër hera e fundit, pastaj kurrë më” dhe “Të premtoj që pas daljes së së premtes nuk do të të kërkoj më kurrë.”

Sipas hetuesve, ndërsa Aurora shpresonte që takimi i fundit do të qetësonte situatën mes tyre, i riu kishte vendosur më herët për ta vrarë. Pranimi i tij në apel vjen disa muaj pas nisjes së procesit gjyqësor dhe pas dënimit të parë me 17 vite burg.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: