Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën e sotme paragjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka thënë se nuk do të bëjë kritika për paraqitjen e materialeve nga Prokuroria, për dallim nga David Hooper, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Emmerson ka thënë se do të presin se si do ta bëjë Prokuroria punën e saj. “Unë nuk do të bëj këtu kritika të copëzuara për mënyrën sesi Prokuroria i ka paraqitur materialet e veta, apo se si i ka analizuar ato. Ky është detyrimi i Prokurorisë. Ne po presim të shohim se si do ta bëjnë ata punën e tyre. Pra, kaq do të them në këtë fazë”, ka thënë Emmerson.

Sipas ti, është herët të flitet për materialet e Prokurorisë. “Është e parakohshme të flasim për përshtatshmërinë dhe mjaftueshmërinë e materialeve të Prokurorisë”, tha Emmerson.

Paraprakisht, avokati i Thaçit, David Hooper, pati vërejtje për këto materiale të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb