ITALI

Entuziazmi ndaj gjestit të kryeministrit Edi Rama duket se nuk po shuhet as dy ditë mbas dërgimit të 30 mjekëve dhe infermjerëve shqiptarë në Itali. Këtë here është ish Kryeministri italian Matteo Renzi, i cili ka bërë një koment në lidhje me vendimarrjen e fundit të Victor Orban me ligjin e emergences. Sipas tij një shkëmbim midis Hungarisë dhe Shqipërisë në BE do ishte një shkëmbim i mirë. “Jashtë Hungaria e sovranistëve, dhe brenda Shqipëria e solidaritetit” janë këto fjalët e ish kryeministrit Renzi ne lidhje me dy vendet.

Renzi është i ashpër edhe në lidhje me retorikën anti-evropiane që sipas tij është një populizëm i kotë. “Është në modë të fajësosh Evropën. Por nuk është kështu, miq. Shpresoj që Eurobondet të realizohen. Por edhe nëse Eurobondet nuk do të realizohen, Evropa do ta mbajë të paprekur rëndësinë e saj për ne.” është shprehur në komentin e tij Renzi. Sipas tij Bashkimi Evropian përkundër asaj që thonë skeptikët ka bërë shumë për Italinë në këto kohë krize madje sipas tij e kanë shpëtuar nga rrënimi. “Nëse nuk do të kishte një Bankë Qendrore Evropiane, sot Italia do të ishte shumë afër rrënimit.Pra mos besoni askënd që thotë se është faji i gjithë Evropës” thotë ndër të tjera Matteo Renzi në komentin e tij.

Ish Kreministri Renzi njihet për linjën e tij pro evropiane edhe në kohën kur drejtonte Italinë dhe opozita e Lega Nord e akuzonte për një linjë tejet të butë në raport me Bashkimin Evropian sidomos për çështjet që lidheshin me emigracionin./ Eunews.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: