Partizani e solli për herë të parë Fejnordin në Shqipëri, në vitin 1991 për llogari të Kupës së Kupave, ndërsa tani ekipi nga Roterdami do të diskutojë në Tiranë finalen e Ligës së Konferencës me Romën.

Në intervistën e dhënë për “News 24”, ish-sulmuesi i Partizanit, Edmond Dosti, tregon përballjet e para tri dekadave me holandezët, ku nuk i shqitet nga kujdesa shpërdorimi i një rasti që mund t’u sillte kualifikimin “Demave” në Holandë.

Nuk ndodh shpesh të përballesh me Fejnord para 30 vitesh, por edhe presësh këtu tani në një finale në Tiranë…

Është gjë e bukur, por ndryshimi ëhstë që para 31 vitesh ishte tjetër Tiranë. Tirana sot është e bukur dhe do bëhet një finale dinjitoze, siç e meritojmë.

Si ishte ndjesia kur ra shorti që do përballeshit me Fejnordin?

Ishte vetëm kënaqësi që do luanim përballë gjigandëve të Holandës. Ne e dinim që ishte një Fejnord i fortë dhe kishin 6-7 lojtarë që luanin me kombëtaren.

Si ishte puna e fanelave në ndeshjen e Partizanit me Fejnordin ku luajtët me fanela të verdha?

Këtë pyetje ma bëjnë edhe tifozët e Partizanit. Atëherë nuk kishim as fanela. Ndeshjen e fundit në kupë kemi luajtur me Vlorën në mos gaboj, kanë humbur 2 fanela.

Ku i gjetët pastaj?

Ishte ndërhyrja atëherë e Dervishit që na e sollën dhe luajtëm. U çuditëm faktikisht se ngjyra jonë ishte e kuqe. Por luajtëm me ato fanela.

Ndodh sot që të luajë një ekip me ngjyrat që nuk i ka të tijat?

Nuk bën vaki sot. Edhe sot nuk e kuptojnë dot njerëzit për çfarë arsye kemi luajtur me ato fanela. Por atëherë ishte viti 1991 dhe varfëria në atë kohë dihej.

Starova ka thënë që shumica e lojtarëve pas ndeshjes në Roterdam ikën, u arratisën me moton e famshme “për një jetë më të mirë”. Ju keni ardhur dhe disa të tjerë. Pse nuk e tradhëtuat Atdheun në ato momente?

Vetëm prej familjes. Nuk isha i përgatitur ta lija Shqipërinë. Por zgjodha të ikja me Ylli Shehun dhe Adrian Aliajn dhe ikëm direkt me kontratë të rregulltë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb