Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, komentoi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, nën prezencën e Presidentit Donald Trump.

Hoxhaj tha se në këtë marrëveshje ka pasur dhe një pikë të 10-të për njohjen e Kosovës nga Serbia, por sipas tij, është hequr, pasi pala kosovare nuk ka insistuar.

“Në marrëveshjen e SHBA ka pasur një pikë të 10-të për njohjen e Kosovës nga Serbia. Kjo pikë është hequr, pasi nuk ka pasur insistim nga pala kosovare. Tani, Kosova duhet të zbatojë marrëveshjen, por duhet ta bëjë përgjegjëse Serbinë për çështjet gjeopolitike. Marrëveshja ka elementë të mirë, se është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por dilema kryesore është mbajtja e Serbisë si përgjegjëse”, është shprehur ish-ministri Hoxhaj.

Ndërkohë, i ftuar në studio historiani Paskal Milo ka deklaruar se “Nëse SHBA dhe BE nuk do të bashkëpunojnë ngushtë, mos prit të ketë zgjidhje të shpejtë në Ballkan, dhe sidomos mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jemi realistë, që jo gjithçka mund ta zgjidhin vetëm SHBA”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb