Gazetari Mentor Kikia, thotë se Arben Ahmetaj ka vepruar si një njeri i “babëzitur” për të përfituar para nga dy biznesmenët, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, aq sa ka pranuar që t’i paguhet edhe hoteli, duke lënë gjurmë me emër dhe mbiemër.
Kikia, i ftuar në “Open”, shprehet se afera e inceneratorëve është një aferë vjedhjeje me kontratë afatgjatë.
“Në tërësinë e aferës, shumat që akuzohet Ahmetaj duken ‘para xhepi’, sepse janë miliona euro në lojë. Historia e inceneratorëve është vjedhja me kontratë afatgjatë. Ahmetaj në këtë që ka ngritur prokuroria, është marrje ryshfeti nga dy biznesmen, ka blerë apartamente dhe si i babëzitur që është ka kërkuar që t’i paguhet edhe jakuzin në hotel duke lënë gjurmë si idiot me emër dhe mbiemër në hotel. Pranonte t’i prisnin dhe biletën e avionit 150 euro. Por afera e inceneratorëve nuk janë këto 1150 euro… Ata që janë vënë nën akuzë për inceneratorët, janë vënë për ryshfete.
Vazhdoj të mbetem kritik për metodologjinë, por dua të jem mbështesësh për atë që po bën prokuroria. Është rrugë e vështirë, por është shembur një mur. Për të shkuar te zëvendëskryeministri, është me rëndësi që shkohet deri këtu, te njerëzit afër kryeministrit. Qeveria duhet të binte. Nuk ka se çfarë ndodh më shumë, se sa një dyzinë njerëzisht të rëndësishëm janë në burg. Rama, së paku nuk bëri mbrojtje. Me apo pa dëshirë ngriti duart dhe tha; shkoni dhe mbani përgjegjësitë tuaja. Nëse këta njerëz kanë ndarë para me kryeministrin, le ta thonë dhe t’u shkojë dhe ai pas. Ne presim që drejtësia të bëjë rrugën.”, deklaroi Kikia në News24.
