TIRANË

Presidenti Ilir Meta foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit në Shqipëri. Mes të tjerash, Kreu i Shtetit u ndal dhe te menaxhimi i situatës nga qeveria, duke renditur edhe gjërat që nuk u bënë mirë në këto muaj pandemi.

Sipas Presidentit, ishte e gabuar që kryeministri Edi Rama u shfaq si autoriteti kryesor publik në menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, pasi gjithçka duhej bazuar në profesionalizëm dhe tek ekspertët më të mirë të fushës.

Pjesë nga intervista:
Pyetje: Sa i takon situatës në spitale që mbetet shqetësues dhe që ka problematika deri tani gjatë gjithë pandemisë. Ku është gabuar dhe ku është punuar mirë sipas jush, qoftë nga ana e qeverisë, qoftë nga ana e sistemit shëndetësor?
Presidenti Meta: Në radhë të parë duhet të kishte një transparencë më të madhe, që në fillim. Unë u përpoqa ta inkurajoja përmes nxitjes së bashkëpunimit, duke përfshirë edhe opozitën në një dialog dhe bashkëpunim me qeverinë. Por autoriteti kryesor publik për menaxhimin e kësaj situate u shfaq Kryeministri, gjë që në vlerësimin tim është e gabuar, për arsye se menaxhimi duhet të ishte i bazuar në profesionalizëm dhe në pavarësi të ekspertëve më të mirë të kësaj fushe. Natyrisht kjo solli politizim më shumë se ç’duhej dhe shumë mangësi e inkoherencë në të gjithë këtë proces.

Mendoj se në periudhën kur u ndje një lloj lehtësimi për shkak të rritjes së temperaturave, Qeveria humbi ndjeshmërinë apo përgjegjshmërinë për të marrë masat e duhura për periudhën që do të vinte, pra për valën e dytë. Nuk u realizuan shumë masa të domosdoshme, që do të kishin përforcuar kapacitetet në spitalet tona dhe do të kishin bërë të mundur një menaxhim shumë efikas të fluksit të lartë, që u vu re në nëntor dhe në dhjetor. Padyshim që edhe për çështjen e vaksinimit mund të ishte bërë me kohë shumë më tepër. Megjithatë çdo masë pozitive që do të merret është e rëndësishme.

Për më tepër kur mbështetja për përballimin e pandemisë nuk ka qenë e duhura, krahasuar me vendet e tjera fqinje, si sa i takon sektorit të shëndetësisë, rritjes së investimeve për të, ashtu edhe mbështetjes për sipërmarrjen e vogël apo të mesme, pra në përgjithësi për biznesin, duke pasur në konsideratë se të paktën, zyrtarisht sipas Bankës së Shqipërisë, mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur vendet e punës gjatë kësaj situate. Pra mund të ishte bërë më shumë. Shpresojmë të bëhet më shumë në ditët dhe në javët që vijnë!

Pyetje: Po, kur kryeministri shprehet se isha lypësi më shembullor për garantimin e marrjes së vaksinës dhe e dozave të para. A ka pikë pozitive këtu për kreun e qeverisë?
Presidenti Meta: Nuk ka asnjë arsye për të qenë lypës, kur mund të jesh partner serioz dhe i besueshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb