E ftuara e parë në “Dola te Ola” këtë të diel ishte pedagogia e pianos Nadjezhda Porodini, e cila si edhe të ftuarit e tjerë të programit rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive dhe bëri një rrëfim të rrallë për jetën e saj.

Nadjezhda, një emër shumë i veçantë të cilin pedagogia e ka dhuratë nga gjyshja e saj bullgare, foli për familjen e saj dhe marrëdhënien e ngushtë që ajo ka pasur me prindërit, por edhe me vëllanë dhe motrën.

Nadjezhda me shumë dashuri kujtoi prindërit e saj, nënën me profesion edukatore dhe babain piktor. Nënën e përshkroi një grua të butë, të duruar e të dashur, por edhe me humor. “Nëna ishte një grua e qetë dhe e dashur. Na ka mësuar ta duam shumë njëri-tjetrin”.

Ndërkohë për të atin tha se i mësoi të ishin të fortë e të drejtë në jetë. Ai e donte shumë pikturën dhe ishte shumë i lidhur me artin. Pikturat e babait tashmë janë ekspozuar në faqet e mureve të shtëpisë së tyre, e cila tashmë mund të vizitohet nga të gjithë, “Vila Jole” në Korçë. “Jemi rritur me kavaletin, penelin dhe ngjyrat pranë. Ato piktura janë një pasuri e madhe shpirtërore, na bëjnë të kujtojmë çdo çast të jetës në praninë e tij”.

Fjalë zemre Nadi tha edhe për vëllanë e motrën. “Tani që prindërit nuk janë më vëllai është mbështetja jonë. Ka mbajtur hapur derën e babait dhe ne ndihemi aq ngrohtë”, tha ajo për vëllanë e saj Albertin. Ndërkohë e vogla e shtëpisë, Anila ka ardhur në jetë kur Nadjezhda ka qenë 16 vjeçe ndërsa vëllai 13. “Na ka transformuar jetën”, tha ajo dhe kujtoi emocionet e ditës kur e ka parë motrën për herë të parë, pasi vazhdonte studimet në Tiranë kur ajo lindi. “Emocioni i asaj dite është u papërshkruar, nuk e harroj”.

Pedagogia e pianos rrëfeu se ka qenë dëshira e babait të saj që ajo të ndiqte rrugën e muzikës. “Kur po më çonte në konkursin e klasës së parë për një instrument muzikor, babai më kërkoi të zgjidhja violinën, sepse siç më tha, në atë mënyrë do ta kishte më të lehtë të ma blinte. Kur më pyetën mësuesit e shkollës se cilin instrument do të doja të mësoja, unë zgjodha pianon, sepse u dashurova që atë ditë me të”, tregon Nadjezhda, ndërkohë që zbuloi se talentin e tij për pikturën e ka trashëguar vetëm mbesa Ilektra, e cila së fundi ka realizuar murale në 6 qytete të Shqipërisë me temë luftën kundër dhunës ndaj gruas.

Pedagoge Nadi foli në program edhe për familjen e bukur që ka krijuar. Ajo është njohur me bashkëshortin e saj Kristaqin në kohën e studimeve. “Kristaqi, është njeriu që më ka qëndruar pranë në çdo çast të jetës. Bashkë kemi kaluar të mira e vështirësi dhe të pandarë jemi edhe sot”.

Nadjezhda e Kristaqi janë bekuar me dy vajza Dorina dhe Olisa, për të cilat janë shumë krenarë. Vajza e madhe ka përfunduar konservatorin për piano në Gjermani dhe është mësuese po aty, ku vijon edhe mësimet për kanto, ndërsa Olisa studioi në Gjermani për Menaxhim biznesi dhe Marketing e ekonomi e jashtme dhe sot është menaxhere në një kompani të madhe private në Tiranë.
Moment shumë emocionues në studio ishte kur u shfaq një videomesazh i bukur nga nipi dhe mbesa, të cilët kanë lindur dhe jetojnë në Gjermani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb