“Ishte ndeshja më e mirë që kam përjetuar si trajner, komplimente të gjithëve”. Me këto fjalë e nisi Luis Enrique analizën e tij pas suksesit 5-4 përballë Bayern Munich, në aktin e parë të zhvilluar në “Parkun e Princave”. Dukshëm i emocionuar, Luis Enrique shtoi: “Si trajner nuk kisha parë kurrë një ndeshje me një intensitet të tillë, me këtë dëshirë kaq të madhe për të fituar. Mendoj se të gjithë tifozët e shijuan këtë sfidë, të gjithë u argëtuan, kjo është fantastike. Të dy ekipet, lojtarët, të gjithë meritojnë komplimente për këtë ndeshje që dhuruan. Kjo ishte një ndeshje shumë e vështirë, e tillë do të jetë edhe ndeshja e kthimit. Ka disa aspekte që duhen përmirësuar, por për momentin të shijojmë këtë rezultat. Kjo ishte vetëm ndeshja e tretë që Bayern humbet këtë sezon, jemi të lumtur për këtë. Mendoj që e meritonin të fitonim”, u shpreh Luis Enrique.

Me trofeun e lojtarit më të mirë të ndeshjes, Ousmane Dembele u shfaq i kënaqur për këtë fitore, por në të njëjtën kohë ishte i vetëdijshëm se është edhe një ndeshje për t’u luajtur: “Përballë ishib dy ekipe që i pëlqen të luajnë futboll ofensivë. Ne e dinim që Bayern është një ekip me një nivel të lartë, por edhe ne jemi. Jemi të kënaqur me rezultatin, edhe pse mund të shkonte më mirë pasi kryesonin 5-2. Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme, por tani do të shkojmë në Mynih, shpresojmë të fitojmë dhe të kualifikohemi në finale”, theksoi Dembele.

Pavarësisht se pësuan 5 gola, Vincent Kompany beson se ekipi i tij mund ta përmbys rezultatin në Allianz Arena: “Energjia ishte, vuajtëm, por ishim edhe të rrezikshëm. Sigurisht të pësosh 5 gola në transfertë, në një ndeshje gjysmëfinale në Champions, duhet të ishe jashtë, por jo ne. Krijuam, shënuan, madje mund të shënonim edhe më shumë, pikërisht kjo sjellje na jep besim për ndeshjen e kthimit”, u shpreh Kompany në konferencë për shtyp.

I bindur se Bayern mund të kualifikohet në finale u shfaq edhe Harry Kane: “Mendoj se pamë dy ekipe me një nivel të lartë, mbi të gjitha në aspektin ofensivë, në trazinsion dhe një lojën një kundër një. Ishin dy ekipet që u përballen hapur. Kishin disa momente që duhet të ishim më cinik, më të saktë në pasin final, por kjo paraqitje na jep besim për ndeshjen e kthimit”, theksoi Harry Kane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb