I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Skënder Ismaili, shef i sektorit të Policisë Rrugore DPPSH ka folur për faktorët ndikues në aksidentet rrugore dhe alarmin e rritjes së ngjarjeve rrugore në Shqipëri, por edhe botë.

“Ka një rritje të ngjarjeve rrugore dhe të aksidenteve, për të cilat ndikojnë një sërë faktorësh. Qarkullimi rrugor është një proces që realizohet në sajë të disa rregullave të caktuara: Është elementi rrugë, përdoruesit e rrugës dhe mjetet rrugore. Procesi realizohet sipas normave të përcaktuar nga Kodi Rrugor, që përcakton detyrimet për përdoruesit e rrugës. Numri i personave që kanë humbur jetën nga aksidentet është 197 persona. Policia ka databazë të dhënash. Shkelja e rregullave të rrugës bën që tragjikisht mund të përfundojë me pasoja të rënda. Gjatë analizave për vitin 2021, faktorët kryesorë kanë qenë faktori njerëzor, shkelja e rregullave nga këmbësorët ku është një shifër në rritje, 16% e aksidenteve me pasoja të rënda është rezultat i shkeljeve nga këmbësorët. Faktor është edhe shpejtësia tej normave e drejtuesve të automjeteve, 4% përdorimi i pijeve alkoolike. Një përqindje të lartë ka zënë parakalimi i gabuar, lidhet me edukimin e drejtuesve të mjeteve rrugore. Nëse i analizojmë faktorët, por edhe studiuesit sot në botë japin alarmin se ngjarjet rrugore janë në rritje. Baza është edukimi i zbatimit të rregullores, për të parandaluar ngjarjet. Gjatë 2021, Policia Rrugore ka konstatuar mbi 500 mijë shkelje të rregullave të Kodit Rrugor, ku pjesa më e madhe e tyre është nga parakalimi i gabuar”-tha Skënder Ismaili.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb